Thonë që hakmarrja është një pjatë që shërbehet më mirë e ftohtë dhe nëse është kështu, atë e bëri Interi ndaj Lacios këtë të dielë.
Në 5 majin e largët të vitit 2002, zikaltërit luanin në Olimpiko me objektivin e vetëm: fitoren për t’u shpallur kampionë të Italisë. Por, Lacio pa objektiva dha gjithçka në fushën e lojës duke fituar 4-2, ndërsa në Udine, Juventusi bënte detyrën, duke marrë tri pikët e bashkë me to edhe titullin kampion.
Lotët e Ronaldos (Fenomenit) në stol dhe Cristian Zanetti-t nq fushë u pasuan nga polemika mes dy tifozerive, që do të reflektoheshin deri diku edhe tek vetë raportet mes dy klubeve, që para kësaj ndeshjeje cilësoheshin miqësore.
Tifozët kërkonin hakmarrje vazhdimisht dhe në vitet që pasuan Interi nuk toleroi ndaj Lacios, por asnjëherë një ndeshje mes këtyre dy skuadrave nuk ka qenë kaq përcaktuese sa sfida e së dielës në mbrëmje.
Interi fitoi me përmbysje 2-3, duke i rrëmbyer skuadrës së Igli Tares vendin e katërt në renditjen përfundimtare të Serisë A, që përkthehet me pjesëmarrje në spektaklin e madh të futbollit europian, që mban emrin Champions League.
Por si e humbi Lacio këtë vend? Më shumë sesa në sfidën direkt, skuadra e Simone Inzaghit e humbi duelin me Interin për një vend në Ligën e Kampionëve javën e kaluar. Në San Siro, Interi luante kundër Sassuolos, ndërsa Lacios në transfertë ndaj Crotones.
Në letër, të dyja sfidat cilësoheshin të lehta si për milanezët, ashtu edhe për kryeqytetasit. Por, në futbollin e ditëve të sotme “nuk vihet dora” në zjarr për asgjë. Sassuolo shtangu San Siron, duke fituar 2-1, ndërsa Lacio shpërdoroi dhe në fund ndeshja u mbyll 2-2. Nëse lacialët do të kishin fituar ndaj Crotones, ndeshja e së dielës do të zhvillohej thjesht për statistikë, pa histori.
Por, le t’i rikthehemi takimit direkt. Lacio ishte në avantazh 2-1 falë autogolit të Perisiç dhe golit të Anderson. Ishte minuta e 78, kur protagonist u bë një emër për të cilin diskutohej prej dy javësh nëse duhej të aktivizohej nga Simone Inzaghi apo jo. De Vrij, që sezonin e ardhshëm do të ndryshojë fanelë dhe do të luajë me Interin, pengon Mauro Icardin në zonë dhe gjyqtari akordon një 11-metërsh.
Si të mos mjaftonte kjo, Luliç ndëshkohet vetëm një minutë më vonë me karton të kuq dhe Interi merr zemër. Në lojë ishte gjithçka për gjithçka. Basti u fitua nga zikaltërit, që gjetën edhe golin e tretë me anë të Vecinos, 3 minuta më vonë.
Fërshëllima përfundimtare e gjyqtarit riktheu në Olimpiko lotët, por këtë herë hidhërimi në kampin lacial dhe gëzimi në atë interist!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.