Futboll

“Hakmarrja” e Barçës, tenton t’i marrë PSG-së yllin francez

Kjo merkato janari premton që të jetë më e “nxehtë” se kurrë. Deri më tani mediet më të njohura sportive në Europë flasin për disa lëvizje të bujshme që mund të konkretizohen gjatë këtij janari. Një nga skuadrat që duket më aktive në këtë periudhë blerje lojtarësh është Barcelona. Katalanasit kërkojnë të marrin në “Camp Now” disa yje në të gjitha repartet. Por aty ku pritet të jenë goditjet më të bujshme është mesfusha. Janë dy emrat më të përfolur që pritet të zbarkojnë në “Camp Now”, francezi i PSG, Adrien Rabiot dhe ylli i ri i Ajaksit, De Jong. Lajmin e bën të ditur gazeta spanjolle shumë pranë Barcelonës, Marka, që thekson se tratativat me të dy janë në fazë të avancuar.

De Jong vëzhgohet prej disa kohës nga Barcelona dhe drejtuesit janë bindur se ky janar është koha e duhur për të bërë këtë goditje. Ndërsa diskutimi për Rabiot është disi më i ndryshe. Mesfushori francez po kalon një moment shumë të keq në karrierë, ku nuk shkoi në botëror me Francën dhe është përjashtuar nga ekipi i tij PSG. Ylli francez nuk është vënë në asnjë moment për aftësitë e tij, por tek PSG nuk i është dhënë roli që ai ka kërkuar. Këtë rol që kërkon të marrë në fushë, te Barcelona janë të gatshëm t’ia ofrojnë të paktën për t’i dhënë mundësinë, pasi asnjë prej mesfushorëve aktual të Barçës nuk japin garanci.

Adrien Rabiot

Ky operacion merr vlera hakmarrje nga Barcelona, pasi dy vite më parë klubi francez pagoi klauzolën e Nejmar, duke e marrë atë në Paris. Hakmarrja e Barcelonës ndaj PSG do të bëhet akoma dhe më e lehtë për shkak se kontrata e Rabiot përfundon në qershorin e ardhshëm dhe ai në janar mund të nisë negociatat me çdo klub në mënyrë të pavarur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë