Gazeta Si – Gjykata e Posaçme e Apelit, ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”, caktuar nga Shkalla e Parë për Zambak Gjonin, ish-drejtor burgu, njëherësh ish-funksionar pranë IKMT-së dhe ekspertit të IT pranë Hipotekës, Arnold Rrokaj.
Të dy akuzohen për veprën penale “Ndërhyrje e paautorizuar kompjuterike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Prokuroria po e heton ndërhyrjen për veprën penale të grupit kriminal e pasi ka dyshime se kanë vepruar për persona të tretë që po verifikohen nga SPAK.
Por pavarësisht këtyre akuzave njëri prej tyre thotë se nuk ka lidhje me ndërhyrjen, e ndërsa tjetri tregon se e ka bërë për kuriozitet.
Gjatë seancës në Apelin e GJKKO-së, Zambak Gjoni pretendon se SPAK nuk mund ta provojë kryerjen e kësaj vepre penale.
“Nuk provohet vepra penale e ndërhyrjes së paautorizuar kompjuterike, pasi vetë SPAK, nuk thotë që Gjoni ka ndërhyrë personalisht në këto të dhëna. Sa i takon veprës së dytë për grup kriminal, a mund të na thotë organi hetues se cili ka qenë qëllimi apo përfitimi i Zambak Gjonit? Nga të dhënat e deritanishme, prokuroria nuk evidenton se cili ka qenë përfitimi”, mësohet të ketë thënë mbrojtja.
Por përkundër këtyre pretendimeve, gjyqtari Dhimitër Lara vendosi vijimin e masës “arrest në burg”. SPAK thotë se mes prokurorëve që u tentua t’i merreshin të dhëna nga adresa e email-it, ishte edhe Altin Dumani, por nuk patën sukses.
Nga ana tjetër, Prokuroria e Posaçme pranon se u morën informacione nga disa adresa e-mailesh të 3 prokurorëve të posaçëm.
Ngjarja ndodhi më 12 mars të këtij viti dhe disa prokurorë ranë pre e sulmeve, mes të cilëve Behar Dibra, Elida Kaçkini dhe Enkeleda Millonai.
Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj janë ndaluar nga BKH 24 orë pas marrjes në dijeni që në e-mailet e 3 prokurorëve janë marrë të dhëna.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.