Gazeta Si – Dy persona janë arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se kanë ndërhyrë në adresat e email-it të disa prokurorëve të SPAK-ut, por pa cenuar dosjet hetimore dhe pa u futur në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit.
Në një njoftim zyrtar, SPAK thotë se ka zbuluar dhe neutralizuar një ndërhyrje të paligjshme në adresat e email-eve të disa prokurorëve të posaçëm. Hakerët tentuan gjithashtu të hynin në email-in e kreut të SPAK, Altin Dumani, por pa sukses.
Sulmi kibernetik u zbulua më 12 mars 2025, ku dyshohet se janë marrë disa informacione, por masat e sigurisë parandaluan aksesin në dosjet hetimore.
Për këtë çështje, janë arrestuar dy persona, ndërsa nuk dihet ende cila ka qenë arsyeja dhe qëllimi i këtij hakerimi.
Në reagimin e SPAK, thuhet se hetimi i nisur pas rastit identifikoi brenda 24 orëve dy persona, si përgjegjës për ngjarjen, individin që ka realizuar ndërhyrjen në email dhe atë që e ka shpërndarë informacionit tek persona të tretë, por pa zbuluar emrat e tyre.
Nga burime paraprake, mësohet se ata janë Zambak Gjoni, ish-zyrtar i Burgut të Fierit dhe Arnold Rrokaj, ish-zyrtar i IMT.
Pas arrestimit, me kërkesë të SPAK ata janë lënë në masën e sigurisë “arrest në burg” për akuzën e “ndërhyrjes së pa autorizuar” dhe “nxjerrje të sekretit hetimor”.
Gjithnjë sipas burimeve, adresat elektronike të sulmuara i përkasin prokurorëve të posaçëm, Enkeleda Millonai, Elida Kaçkini dhe Behar Dibra.
SPAK tha se pas arrestimit të dy të dyshuarve është bërë i mundur sekuestrimi i pajisjeve të përdorura për të realizuar ndërhyrjen, si edhe skedarët e shkarkuar, ndërkohë që deri në këtë fazë të hetimit nuk ka të dhëna që ata të kenë bashkëpunuar me personel të brendshëm të SPAK.
Një pjesë e materialeve hetimore të shkarkuara nga e-mailet e prokurorëve i janë dërguar dy gazetarëve, të cilët, me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor, janë urdhëruar nga SPAK të mos u publikojë ato.
Ndërkohë janë marrë në pyetje edhe individë të tjerë, që mund të kenë pasur lidhje me personat e arrestuar, që i kanë zotëruar këto informacione.
Sipas Prokurorisë së Posaçme hetime për këtë çështje vijojnë në kuadër të dyshimeve për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.