Kosova

Hajredin Kuçi para Gjykatës Speciale: Jam i pafajshëm. Kam besim të plotë se do të lirohem nga akuzat

Nga Gazeta ‘Si’- Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, është deklaruar i pafajshëm në paraqitjen e parë të hënën para Gjykatës Speciale, rreth aktakuzës së ngritur ndaj tij për ndikimin mbi dëshmitarët lidhur me një rast tjetër që ndiqet penalisht në këtë gjykatë.

“Jam plotësisht i pafajshëm. Sot është një prej momenteve të errëta për mua si njeri i drejtësisë, që e ka profesion dhe mision tërë jetën, dhe jam identifikuar me drejtësi”, ka thënë Kuçi në fjalën e tij para gjykatës, duke shtuar se aktakuzën e konsideron si “prekje të dinjitetit”.

“Drejtësinë si profesion dhe mision do ta vazhdoj edhe nga sot, edhe në një pozitë tjetër, por prapë në funksion të saj dhe të vlerave që jam identifikuar. Më vjen keq për shqetësimet që ua ka bërë kjo akuzë anëtarëve të familjes sime”, ka thënë mes tjerash Kuçi.

“Unë nuk kam bërë asnjë vepër penale. Unë jam i pafajshëm dhe kam besim të plotë se do të lirohem nga akuzat. Në aktakuzë jam me presidentin, Hashim Thaçi. Më lejoni të them se Hashimin e kam mik, njihemi që vite të gjata dhe kemi punuar gjatë. Kemi punuar dhe udhëhequr mbi parimin e drejtësisë, respektimit të saj dhe kemi besuar në drejtësi”.

Prokuroria ka thënë se me vonë gjatë ditës do të bëjë kërkesë që Kuçit t’i ndalohet komunikimi me personat që janë pjesë e aktakuzës, dhe persona tjerë që dyshohen se kanë lidhje me rastin.

Gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka thënë se do të marrë vendim pas parashtrimit të kërkesës.

Pjesë e aktakuzës janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, dhe Fadil Fazliu.

Kilaj do të paraqitet në gjykatë më vonë gjatë ditës.

Thaçi dhe Smakaj nuk janë deklaruar një ditë më parë për akuzat që rëndojnë ndaj tyre, ndërsa Fazliu është deklaruar i pafajshëm.

Të akuzuarit pranë Dhomave të Specializuara kanë afat që brenda 30 ditësh të deklarohen rreth akuzave.

Gjykata Speciale është institucion që funksionon sipas ligjeve të Kosovës, por selinë e ka në Hagë të Holandës.

Kilaj, Smakaj dhe Fazliu janë arrestuar më 5 dhjetor, dhe një ditë më vonë janë dërguar në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Ndaj Kuçit është lëshuar fletëthirrje për t’u paraqitur para Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë.

Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Fazliu, Smakaj dhe Kilaj akuzohen për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, dhe për mosbindje ndaj gjykatës.

Kuçi përballet me dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë