Ana e errët

Hajduti shet biçikletën e vjedhur dhe ‘harron’ kartën e identitetit tek blerësi!

Gazeta Si – Shumë hajdutë duhen vite të tëra punë hetimore për t’u zbuluar. Dhe shpesh ata nuk lënë asnjë gjurmë dhe asnjë fije që do të mund të ndiqej nga agjentët e do t’i çonte tek ata.

Këta janë më inteligjentët, të cilët nëse nuk kapen në flagrancë, nga mungesa e gjurmëve, për policinë ka zero shpresë që t’i gjejë. Pastaj janë ata, hajdutët “budallenj”.

Pa i fyer, kështu mund të quhet një i tillë, i cili pasi vodhi një biçikletë, u largua paqësisht. Më pas, pa u vënë re, shkoi në treg dhe e shiti.

Por teksa po bënte pazar me personin përballë, ai i la atij kartën e identitetit. Një dokument i tillë u konsiderua shumë i vlefshëm për policinë, e cila kur zbuloi se qytetari kishte blerë një send të vjedhur, nuk iu desh as një sekondë punë që të gjente hajdutin.

Dosja e rrallë iu tregua Gazetasi.al nga policia e Tiranës, që shpjegoi se si 29-vjeçari me inicialet B.M., u procedua për vjedhje, pasi personalisht kishte lënë me vullnetin e tij një kopje të kartës së identitetit.

Ai, sipas policisë vodhi një biçikletë të markës italiane me mbishkrimin  “Shimano”, të sekuestruar nga policia gjyqësore që iu kthye pronarëve.

Ngjarja raportohet se ndodhi në afërsi të qendrës së Kamzës. Qytetari që u vodh, shprehet për policinë: “Lidhur me vjedhjen, konstatova se biçikleta ime gjendej në një servis biçikletash në rrugën ‘Bulevardi Blu’. U afrova dhe e pyeta personin se ku e kishte gjetur dhe më tregoi se e kishte blerë tek një person për 30 mijë lekë të vjetra. Ky person më tregoi se i kishte mbajtur shitësit kopjen e kartës së identitetit gjatë tregtimit të biçikletës sime. Kjo kartë identiteti kur e pashë, lexonte B.M., 29 vjeç”, – shprehet qytetari për dokumentin e identifikimit të hajdutit. Të njëjtën gjë dëshmoi në polici edhe qytetari që kishte blerë biçikletën.

Kur policia shkoi në banesën e të riut që vodhi dy rrotakshin dhe e shoqëroi atë në komisariat, menjëherë në mbrojtje i ka dalë i ati.

“Im bir kryen veprime të papërgjegjshme për shkak të sëmundjes. Është trajtuar nga sëmundje të shëndetit mendor në vitin 2018 dhe e dërgoj vazhdimisht për vizitë në spital”, – shpjegoi babai.

Dhe në fakt policia e ka administruar edhe kartelën e tij mjekësore, duke vendosur që ta besojë dhe të kërkojë mjekimin e tij.

“Është shumë e qartë që ka probleme të shëndetit mendor. Asnjë hajdut në botë nuk do ta kryente një veprim të tillë, të linte një send të vjedhur së bashku me dokumentin që e identifikon”, – komentoi policia për Gazetasi.al.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë