Politike

Hahn vlerëson vettingun: Për negociatat s’ka kushte shtesë

Organizatorët kishin menduar një tryezë të rrumbullakët, të ngjashme me atë të mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive Shqipëri-Kosovë për të pritur Komisionerin e Zgjerimit, Johannes Hahn dhe delegacionin që e shoqëron atë.

Komisionerit nuk i shpëtoi ky detaj. “Është një klimë mjaft e mirë dhe shpresoj që të jetë model kjo tryezë e mrekullueshme”, tha ai.

Vetë Kryeministri Edi Rama e nisi fjalën me falenderimet për ata që mbështetën Shqipërinë në vendimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së për të dhënë si afat qershorin e vitit të ardhshëm për hapjen e negociatave.

Deri në atë moment rruga është ende e vështirë dhe Edi Rama thotë se është i vetëdijshëm për këtë, por këmbëngul se jo të gjitha vështirësitë vijnë nga Shqipëria.

“Tani kërkohet një angazhim solemn nga të gjitha strukturat. Kemi lexuar më vëmëndje rekomandimin e komisionit dhe raportin e këshillit dhe jemi të qartë për detyrat që përcaktohen. Kemi besim në kryerjen e procesit përgatitor brenda këtij afati kohor. E dimë që nuk është detyrë e lehtë, pasi fryma e zgjerimit në Bashkimit Europian nuk është se do të bëhet më mirë, duke patur parasysh edhe zgjedhjet e reja për PE”, tha ai.

Kryeministri sheh tre aspekte të këtij procesi, mes të cilave edhe dialogu dhe klima politike.

“Dëshiroj të theksoj tre aspekte me këtë proces përgatitor që do na shoqërojë deri në pranverën e ardhshme. Së pari, procesi të vazhdojë dhe të ngrihet mbi procesin e stabilizim-asociimit. Aspekti i dytë është përmirësimi i komunikimit me vendet anëtare dhe misionin e BE në Tiranë. Aspekti i tretë lidhet me rëndësinë themelore që procesi teknik dhe ai politik të veprojë në mënyrë elastike me njëri-tjetrin”, vijoi Kryeministri.

Edhe Komisioneri vlerësoi rëndësinë e procesit analitik. Ai thotë se nga ky proces varet shumë edhe shpejtësia me të cilën do të ecin negociatat. Për këtë arsye kërkoi burime njerëzore dhe specialistë, që do të ulen përballë kolegëve të Komisionit për të diskutuar në të gjitha fushat. Ai i kujton palës shqiptarëv vështirësitë e procesit, duke përmendur sërish kapituj 23 dhe 24, që të dy të lidhur me shtetin ligjor dhe të drejtat e njeriut.

Pas tryezës së rrumbullaktë, Rama dhe Hahn dolën në një konferencë për shtyp. Shefi i Qeverisë shqiptare kishte pak më shumë se 20 sekonda që kishte nisur fjalën në shqip, por atëherë kuptoi që miku nga Brukseli nuk kishte kufje për ta dëgjuar atë të përkthyer. Kufjet u gjetën dhe Rama kaloi me takt momentin e sikletshëm organizativ.

“Nuk do të përsëris falenderimet që thashë në shqip se i ke dëgjuar me qindra herë”, iu drejtua ai Komisionerit Hahn në anglisht.

Kur Këshilli i Ministrave të Jashtëm publikoi raportin opozita tha se mes rreshtave flitet për kushte shtesë. I pyetur nga gazetarët, Johannes Hahn e mohoi këtë.

“Nuk po fusim asnjë kusht të ri. Ajo që po bëjmë është një proces i zhvilluar në çdo vend kandidat dhe do të zhvillohet në çdo vend tjetër që do të jetë kandidat”, u shpreh ai.

Komisioneri ripërsëriti qëndrimin vlerësuar sidomos për procesin e vettingut.

“Po ecën shumë mirë, madje disa vende në BE po shikojnë mundësinë që të aplikojnë një ligj të ngjashëm. Është një proces inkurajues dhe unë jam kureshtar për të parë rezultatet pozitive”, u shpreh ai.

Por, Komisioneri u kujdes të theksoj se vetëm me vettingun hapja e formale e negociatave nuk mund të ndodhë.

“Shpresoj që vettingu të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar përfshirë edhe luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogërave”, tha ai.

Si procesin përgatitor, ashtu edhe negociatat Hahn i quan mjaft intensive dhe që kërkon energjitë e koordinuara të të gjithë aktorëve, përfshi opozitën.

“Ndaj duhet një bashkëpunim në Parlament, me shoqërinë civile dhe të gjitha strukturat e tjera”, u shpreh ai.

Fjalët e Johannes Hahn për bashkëpunimin dhe për luftën kundër krimit të organizuar e trafikut të drogës ranë në veshin e opozitës. Monika Kryemadhi reagoi pak pas konferencës për mediat përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Asnjë deklaratë e thënë në anglishte të qartë, asnjë kompliment apo lajkë e bërë për ndërkombëtarët e Brukselit apo ata që janë në ikje e sipër, nuk e zhbën dot trafikun e drogës, përfshirjen në krimin e organizuar, shkatërrimin e administratës publike dhe ngecjen në reformën në drejtësi”, shkroi ajo.

https://www.facebook.com/KryemadhiMonika/posts/1697767257002676

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë