Pas vizitës në Kosovë, komisioneri i BE-së për Negociatat dhe Zgjerimit, Johannes Hahn u ndal në një vizitë blic për t’u takuar me kryeministrin Edi Rama. Një takim “kokë më kokë” me kryeministrin shqiptar në këto momente kyçe për procesin e reformave në Shqipëri, si një nga kushtet kryesore për integrimin e Shqipërisë.
Ndërsa nga Këshilli i Ministrave nuk ka pasur asnjë njoftim në lidhje me këtë takim, zyra e Delegacionit të BE-së ka dhënë detaje për kërkesat që zyrtari i lartë i KE-së i ka paraqitur kryeministrit Edi Rama.
Komisioneri në këtë takim mësohet se ka nënvizuar se është e rëndësishme të vijohet me impulsin e mirë të vitit të kaluar për të dhënë rezultate të prekshme në programin e reformave, çka është vendimtare duke pasur parasysh vendimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në qershor 2019.
“Reforma në drejtësi vazhdon të japë rezultate dhe ristrukturimi institucional i gjyqësorit duhet të përfundojë brenda javëve të ardhshme. Komisioneri Hahn vuri në dukje veprimet e kohëve të fundit kundër krimit të organizuar si një shenjë pozitive në këtë drejtim, që megjithatë duhet të bëhet pjesë e një vazhdimësie arritjesh solide dhe të pasohet me ndjekje penale dhe dënime përfundimtare. Lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit në të gjitha nivelet mbeten prioritete në marrëdhëniet BE-Shqipëri”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtën kohë mësohet se Hahn ka shprehur shqetësimin rreth numrit ende të lartë të aplikimeve të pabazuara për azil nga qytetarë shqiptarë në disa shtete anëtare të BE-së. Shkaqet themelore duhet të trajtohen dhe bashkëpunimi me qeveritë e shteteve anëtare të BE-së, të prekura nga ky fenomen, duhet të intensifikohet më tej.
Sa i përket situatës politike mësohet se komisioneri për zgjerimin ka kërkuar një dialog konstruktiv mes mazhorancës dhe opozitës, duke kërkuar miratimin e ligjit zgjedhor.
“Komisioneri i ka përsëritur Ramës se angazhimi i fortë në procesin e integrimit në BE nga kryeministri Rama është kyç dhe se dialogu konstruktiv politik midis të gjitha partive politike, si dhe gatishmëria për të punuar së bashku në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë, është thelbësore për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. “Një marrëveshje ndërpartiake për reformën zgjedhore për të trajtuar rekomandimet nga OSBE / ODIHR do të ishte një mundësi e mirë për ta treguar një gatishmëri të tillë”, thuhet në deklaratë.
Vizita e Hahn u realizua menjëherë pas takimit komisonieri pati në Prishtinë me kryeministrin Edi Rama. Pikërisht ky takim mund të lidhet edhe me faktin se ndryshimet në qeveri lidhen edhe me faktin se kryeministri Edi Rama do të jetë edhe ministër i Jashtëm. Çështja e kufirit të Kosovës dhe arritja e një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Serbisë mund të ketë qenë një pjesë e diskutimeve mes dy kryeministrave të dy vendeve. Në një postim në rrjetet sociale, Hahn thekson se kruçiale është që Shqipëria dhe diplomacia shqiptare të arrijnë shtetet anëtare të BE dhe të komunikojnë me rezultate konkrete dhe arritjet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





