Kosova

Haga kërkon vijimin e paraburgimit për Hashim Thaçin dhe arsyeja është…një foto

Nga Gazeta ‘Si’- Një fotografi e publikuar nga djali i Haxhi Shalës për festën e Pavarësisë së Kosovës u bë shkak që Prokuroria e Hagës të vazhdojë paraburgimin ndaj Hashim Thaçit.

Në këtë foto dukeshin Haxhi Shala dhe Hashim Thaçi, duke qëndruar bashkë në Qendrën e Paraburgimit, në një ‘videocall’ (video-telefonatë).

Sipas rregullave të Speciales, kjo është e ndaluar, dhe Prokuroria e ka përdorur për të pretenduar se ish-presidenti i Kosovës, mund të ndikojë në këtë mënyrë tek dëshmitarët.

“Pjesëmarrja e dukshme e Thaçit në video-telefonatën e një të burgosuri tjetër, e cila bie ndesh me kushtet e vendosura ndaj tij, nënvizon më tej një rrezik konkret që ai mund të përdorë komunikimin me vizitorët e të burgosurve të tjerë për të vendosur kontakte indirekte me dëshmitarët ose për të shpërndarë informacion konfidencial”, thuhet në njoftimin e Speciales.

Mandej thuhet se jashtë mjedisit të kontrolluar të Qendrës së Paraburgimit, rreziqe të tilla do të ishin edhe më të mëdha, ndaj, sipas Hagës, paraburgimi është mjeti më efektiv për të kufizuar aftësinë e Thaçit për t’u arratisur.

Arsyet e tjera që i ka përdorur Prokuroria e Hagës, janë pothuajse identitike me herët e kaluara. Ata pretendojnë se Thaçi mund të ndikojë në dëshmitarë dhe prova.

Përveç Thaçit, Prokuroria e Hagës ka kërkuar që paraburgimi t’i vazhdohet edhe Kadri Veselit.

Ish-krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim qysh nga nëntori i vitit 2020, pa pasur asnjëherë, asnjë mundësi, për lirim në arrest shtëpiak, ose lirim me kusht.

Kjo pavarësisht edhe garancive nga shtetet e treta, garanci që u rrëzuan dhe nuk u morën parasysh nga gjyqtarët e Speciales.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë