Nga Gazeta ‘SI’- Në një takim me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, si parakusht për rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Duke u ndalur tek tarifat e vendosura nga SHBA, Sejko analizoi se ndikimi do të ndjehet më vonë, në mënyrë të tërthortë.
Guvernatori u shpreh se për Shqipërinë, si një ekonomi e vogël dhe e hapur e lidhur ngushtë me Bashkimin Europian, raundi fillestar i tarifave nga SHBA-ja ka një ndikim të papërfillshëm të drejtpërdrejtë në ekonominë tonë, pasi lidhjet tona tregtare dhe financiare me SHBA-në janë mjaft të kufizuara (rreth 0.2% e PBB-së). Megjithatë, ai vuri në dukje se një luftë tarifore në shkallë globale do të nënkuptonte rënie të kërkesës për eksporte, inflacion të importuar që do të rriste çmimet e brendshme, si dhe rreziqe potenciale në sektorin financiar, pasi kompanitë e ekspozuara ndaj tregtisë do të përballen me kushte më të vështira.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.