Nga Gazeta ‘Si’- Guvernatori i BSH, Gent Sejko thotë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trajektore pozitive zhvillimi.
Megjithatë, sipas Sejkos, tensioni i lartë gjeopolitik dhe rritja e mundshme e barrierave dhe e tarifave tregtare, një politikë e Donald Trump, mund të sjellin pasoja negative në rritjen ekonomike dhe në inflacion.
“Në skenarin bazë, inflacioni pritet të kthehet gradualisht pranë objektivit gjatë vitit 2025. Ky parashikim faktorizon pritjet tona për një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës agregate për mallra e shërbime, një qëndrueshmëri më të lartë të kursit të këmbimit, si dhe për rënie të mëtejshme të inflacionit në partnerët tanë tregtarë. Paralelisht me të, ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit në afatin e mesëm.
Balanca e rreziqeve rreth këtyre parashikimeve paraqitet – për momentin – neutrale. Megjithatë, tensioni i lartë gjeopolitik dhe rritja e mundshme e barrierave e tarifave tregtare, mund të sjellin një goditje oferte me pasoja potenciale negative në rritjen ekonomike dhe inflacion”, tha Sejko.
Në konferencë për mediat pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës Sejko njoftoi se është lënë e pandryshuar norma bazë e interesit në 2.75%, pasi i përgjigjet situatës ekonomike aktuale të vendit, dhe është në përputhje me objektivin e tyre për të kthyer inflacionin në objektiv prej 3% brenda vitit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.