Nga Gazeta ‘SI’ – Guvernatori, Gent Sejko ka treguar se në qershor të këtij viti, Shqipëria do të aplikojë për t’u bërë pjesë e SEPA, sistemi i pagesave në euro.
Në një takim në Itali, me homologun e tij Fabio Panetta, Sejko theksoi se SEPA dhe projekti i pagesave të shpejta (një model klon i TIPS për pagesat në Europë), janë dy objektivat e BSH-së, ku po bashkëpunon me Bankën e Italisë.
Guvernatori Panetta tha se Banka italiane do të vijojë të mbështesë dhe asistojë Bankën e Shqipërisë për sistemin e pagesave dhe përpunimin e statistikave. Panetta u ndal në fushën e mbulimit të klonit të TIPS, e cila do të mundësojë pagesat e shpejta brenda vendit në Shqipëri në lekë dhe ne euro, si një infrastrukturë që mbështet disa valuta.
Ai e adresoi rëndësinë e aksesit në SEPA, duke vlerësuar përpjekjet e Shqipërisë për përfshirjen në zonën SEPA dhe zhvillimet e deritanishme të vendit në kuadrin ligjor e rregullativ për t’u përafruar me kuadrin e Bashkimit Europian.
Ofrimi i klonit të TIPS është një projekt me rëndësi për Bankën e Italisë, i cili përfshin përfitime konkrete për Bankën e Shqipërisë në dy drejtime. Së pari, ky projekt i jep tregut dhe ekonomisë shqiptare një infrastrukturë pagesash të shpejta, në përputhje me standardet evropiane sipas SEPA-s, dhe në një hap zhvillimesh e përmirësimesh me vetë infrastrukturën evropiane TIPS. Së dyti, përgatit tregun e ofruesve të pagesave me një infrastrukturë (kloni i Tips) identike me atë të përdorur nga vendet e Bashkimit Evropian (TIPS). Kjo lehtëson integrimin e mëtejshëm të tregut në momentin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe aksesin në infrastrukturat europiane të pagesave me lehtësi e me kosto minimale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




