Para

Sejko pranon ndërhyrjen e BSH-së për të rregulluar kursin e këmbimit: U ndikua dhe nga ekonomia informale

Nga Gazeta 'SI' - Gjatë raportimit të tij në komisionin e Ekonomisë, Guvernatori Gent Sejko pranoi nën rreshta se zhvlerësimi i euros në vend, ka pasur edhe faktorë informalë.

Që kur nisi mbiçmimi i lekut dhe dobësimi i euros, Banka e Shqipërisë i ka qëndruar narrativës se janë faktorët formalë si turizmi, eksportet dhe investimet ato që po rrënojnë valutën europiane.

“Në veçanti, forcimi i lekut ka qenë dhe vijon të jetë një nga zhvillimet më të diskutuara ekonomike të kësaj periudhe. Në mënyrë të përmbledhur, trendi forcues i kursit të këmbimit të lekut ka ardhur si pasojë e pasqyrimit të rritjes së eksporteve, e kryesisht atyre të turizmit, të remitancave dhe të investimeve të huaja direkte. Sidoqoftë, ekonomia shqiptare ka qenë dhe mbetet një ekonomi me një nivel relativisht të lartë informaliteti. Ky fenomen ka pasojat e tij në shumë tregues ekonomikë të vendit, përfshi – potencialisht – edhe kursin e këmbimit”, deklaroi Guvernatori Sejko përballë deputetëve.

Për të luftuar informalitetin, Sejko tha se duhet bashkëpunim me qeverinë dhe reforma strukturore. Ai pranoi se Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë disa herë në treg për të blerë valutë, jashtë parashikimeve të kalendarit, në vlerën e 265 mln eurove. Guvernatori tha se nuk mund të tregojë shifrat e ndërhyrjes, por BSH ka tentuar të balancojë çrregullimet në kursin e këmbimit.

“Në Shqipëri hyjnë miliarda euro, ne nuk blejmë dot miliarda euro. Ky është kursi i ri normal i këmbimit”, u shpreh Sejko duke theksuar se Shqipëria ka një kurs të lirë të këmbimit.

Në fjalën e tij, Guvernatori bëri një përmbledhje të situatës financiare të Shqipërisë gjatë 2023-shit. Ndër të tjera ai tha se 2023-shit ishte pozitiv për ekonominë e vendit, shoqëruar me rritje të punësimit, pagave dhe të ardhurave të biznesit. Inflacioni pësoi rënie dhe gjendja e sektorit bankar u përmirësuar ndjeshëm.

“Pavarësisht një mjedisi të huaj të vështirë, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend vijoi të rritet, duke gjeneruar rritje të ardhurash për bizneset dhe rritje mirëqenieje për familjet, në formën e zgjerimit të punësimit e rritjes së pagave. Paralelisht me to, inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rënie të vazhdueshme, duke ndihmuar në ruajtjen e vlerës së të ardhurave dhe kursimeve të familjeve shqiptare, si dhe duke mbështetur funksionimin normal të tregjeve financiare. Në të njëjtën kohë, ekuilibrat e brendshëm e të jashtëm të ekonomisë erdhën në përmirësim. Në veçanti, deficiti buxhetor dhe ai i llogarisë korrente u reduktuan, çka solli rritjen e qëndrueshmërisë së borxhit të brendshëm dhe të huaj të vendit. Së fundi, dhe po aq e rëndësishme, stabiliteti financiar i ekonomisë u forcua më tej: treguesit e likuiditetit, të kapitalit dhe të përfitueshmërisë së sektorit bankar u përmirësuan, ndërsa raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin më të ulët të regjistruar prej më shumë se një dekade”, raportoi Guvernatori.

Duke theksuar se Shqipëria përballet me pasiguri të jashtme, por edhe nga plakja e popullsisë dhe mungesa e fuqisë punëtore, kreu i BSH-së parashikoi zgjerim të mëtejshëm të ekonomisë.

“Ne presim një rritje të mëtejshme të ekonomisë shqiptare gjatë viteve të ardhshme, të mbështetur nga rritja e konsumit, e investimeve dhe e eksportit të shërbimeve, si dhe të shoqëruar me rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave. Po ashtu, ne presim që inflacioni të qëndrojë pranë objektivit tonë prej 3%, nivel ky i cili mbron fuqinë blerëse të familjeve shqiptare dhe ndihmon shëndetin e përgjithshëm financiar të ekonomisë. Megjithatë, sfidat që kemi përpara nuk janë të pakta. Ambienti i huaj vijon të karakterizohet nga pasiguri të shumta, tensione gjeopolitike dhe fragmentarizim ekonomik e tregtar në rritje. Gjithashtu, efektet e plakjes së popullsisë dhe kufizimet e fuqisë punëtore po bëhen faktorë gjithnjë e më të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, në vend dhe në botë”, u shpreh Gent Sejko.

Në fund të fjalës së tij, Guvernatori riktheu rekomandimet e tij për qeverinë, duke kërkuar përputhje të politikave fiskale me ato monetare dhe me reforma strukturore, për ta bërë Shqipërinë një vend më tërheqës për kapitalin e huaj. 

Të bashkërendohen me politik të kujdesshme fiskale dhe me reforma strukturore. Të përfshijë krijimin e ambientit tërheqëse për kapital të huaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë