Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko e vlerëson inflacionin si një rrezik për situatën ekonomike në vend dhe rajon që duhet mbajtur në vëzhgim.
Në fjalën e mbajtur gjatë hapjes së një workshop-i mbi Kërkimet Ekonomike, Sejko shtoi se zhvillimet inflacioniste i kanë ndarë akademikët dhe bankierët qendrorë në dy kampe që mbajnë qëndrime diametralisht të kundërta.
Sipas Guvernatorit, në njërën anë janë ata që mendojnë se inflacioni aktual është një fenomen i rrezikshëm që rrezikon të nxisë një situatë inflacioniste e rrjedhimisht kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme për të zhbërë politikat për rritjen e normave të interesit.
Në anën tjetër, qëndron grupi i cili mendon se zhvillimet aktuale të inflacionit janë fenomene të përkohshme, të nxitura nga problematikat e ofertës që reflektojnë efektet negative të pandemisë.
Sipas Sejkos, këto pikëpamje diametralisht të kundërta ndërmjet ekonomistëve tregojnë se puna për përmirësimin e modeleve të inflacionit nuk duhet të ndalet, sidomos kur edhe pas gjithë këtyre viteve pune dhe kërkimi për njohjen e fenomenit të inflacionit përsëri kemi dyshime dhe qëndrime të dyzuara.
“Pasiguria e lartë për prodhimin dhe shpërndarjen janë faktorë që mbajnë peng rimëkëmbjen. Pandemia duket se ka ngritur barriera për globalizimin dhe kjo pritet të ketë efekte të rëndësishme në ekonomi. Kombinimi i këtyre dy efekteve e ka dhënë ndikimin e vet të menjëhershëm te çmimet, duke nxitur rritjen e inflacionit si pasojë e këtyre efekteve të ofertës. Megjithatë, ky nuk është një konkluzion i qartë. Jo pak zëra nga bota akademike dhe ajo e bankingut qendror mendojnë se inflacioni mund të jetë efekt edhe i politikave ekspansioniste të bankave qendrore. Natyrisht qëndrimet e kundërta vijnë si rezultat edhe i paqartësive mbi efektet, gjeografinë dhe masën me të cilën pandemia ka prekur ekonomitë.”
Ai thekson se është me rëndësi të mbahet nën vrojtim efekti i pandemisë me anë të kërkimeve mbi ekonominë, 20 prej të cilave do të publikohen gjatë datës 6-7 dhjetor.
Sejko vuri theksin te rëndësia për të fokusuar punën kërkimore te fenomene të tjera që pritet të keni ndikim të rëndësishëm në mjedisin ekonomik.
“Zhvillimet e vitit të fundit tregojnë se agjendat e kërkimit të bankave qendrore janë pasuruar me studimin e rreziqeve të tjera, si ato që lidhen me ndryshimin e klimës e mjedisin, rreziqet demografike, digjitalizimi dhe monedhat digjitale etj. Këto janë identifikuar si sfida të mëdha e afatgjata për ekonominë globale dhe autoritetet e çdo vendi. Banka e Shqipërisë ka filluar punën për krijimin e infrastrukturës për modelimin dhe analizën e këtyre fenomeneve. Është e rëndësishme që për këto tema të mos mendohet vetëm në formën e testimit të hipotezave apo diskutimeve akademike, por të mendohet më shumë në kuadrin konkret të politikëbërjes dhe vendimmarrjes,”- u shpreh Guvernatori.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



