Futboll

Gundogan zyrtarisht i Barcelonës, klauzolë 400 mln euro për gjermanin

Gazeta Si – Barcelona ka mbyllur zyrtarisht marrëveshjen me mesfushorin gjerman, Ilkai Gundogan. Një goditje e madhe për katalanasit, po të kemi parasysh faktin se lojtari vjen me parametra zero, duke lënë Mançester Sitin kampion Europe.

Gundogan ka firmosur një kontratë dyvjeçare me të drejtën e zgjatjes edhe për një vit tjetër. Ajo që bën përshtypje në kontratën mes palëve është shifra e klauzolës prej 400 milionë eurosh. Një shifër shumë e lartë kjo për një futbollist në moshën 32-vjeçare.

Mesfushori u kërkua me ngulm nga trajneri Ksavi Hernandez. Gjermani ishte një nga titullarët më të rëndësishëm të Sitit sezonin e fundit, kur skuadra e Guardiolës fitoi tripletën. Pas eksperiencave në Bundesligë dhe në Premier Ligë, Gundogan do të provojë edhe La ligën me fanellën e Barcelonës.

Te katalanasit mesfushori do të ribashkohet me sulmuesin Robert Levandovski, me të cilin kanë luajtur bashkë te Borusia Dortmund.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë