Gazeta Si - Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, ka kallëzuar penalisht deputetin demokrat Bledjon Nallbati për dhunën fizike të ushtruar në seancën e fundit ndaj deputetit Vullnet Sina.
Në dokumentet që shoqërojnë aktpadinë, socialistët pretendojnë se vërtetohen katër raste të goditjes për shkak të detyrës ku sipas Kodit Penal, kjo vepër dënohet nga gjoba deri në tre vite burgim.
LEXO EDHE:
Foto-Video / Tensione dhe përplasje fizike mes deputetëve në Kuvend, seanca mbyllet në kaos
Në kallëzimin penal, kreu grupit parlamentar socialist Bledi Çuçi thotë: “Sot, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste firmosa kallëzimin penal për deputetin Bledjon Nallbati për dhunën fizike të ushtruar në seancën e fundit ndaj deputetit Vullnet Sina. Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk do të tolerojmë asnjë akt dhune dhe refuzojmë këdo që e konsideron dhunën si mundësi për të shprehur mospajtimin. Ftojmë organet ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre dhe t'i shkojnë deri në fund ngjarjes së 30 tetorit në Parlament”.
Një ditë më parë, deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati është përjashtuar me 5 deputetë të tjerë pas bllokimit të seancës parlamentare të së hënës.
Nallbati u përjashtua, pasi u përplas fizikisht dhe tentoi të godasë me grusht deputetin socialist, Vullnet Sina në Kuvend.
Kaosi në Kuvend u shkaktua pasi Nallbati i ka fikur mikrofonin deputetit socialist, i cili po fliste nga vendi.
Sekretariati për Procedurën, Votimin dhe Etikën ka vendosur të përjashtojë për 10 ditë nga punimet e Parlamentit deputetët demokratë Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, për shkak se penguan zhvillimin normal të seancës plenare të ditës së hënë.
Ndërkohe grupi parlamentar i PD iu kundërpërgjigj me një kallëzim penal ndaj deputetit Vullnet Sina
Edhe ata kanë ngritur në SPAK akuzën goditje për shkak të detyrës
vullnet Sinaj më pas ka reaguar në lidhje me kallëzimin nga PD ndaj tij. Sina tha se deputeti Nallbati e goditi, por ai e priti grushtin me dorë.
‘Nëse SPAK më thërret do të shkoj. Nuk kam frikë nga drejtësia. Aty janë videot se e kam pritur me dorë grushtin. Ai ka goditur por unë e kam pritur me dorë. Ndodhi ai incident që ndodhi. Mund të ndodhte dhe me një koleg tjetër. Si deputet them se duhet të ketë komision dhe për Berishën’ tha Sina.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.