Problemet me drejtësinë vazhdojnë të shtohen dita-ditës për futbollistin e njohur turk, Arda Turan, i cili mori famë me fanellën e Atletikos së Madridit dhe Barcelonës. Gjykata mund ta dënojë me 12 vjet e gjysmë burg lojtarin e Bashakshehirit, por tashmë për të është hapur një çështje tjetër shumë e rrezikshme, ajo e pjesëmmarrjes në grushtin e dështuar të shtetit në vitin 2016.
Ditët e fundit Turan është bërë personazh kryesor në kronikat jashtë futbollit. Nuk mjaftuan skualifikimi prej 16 javësh në fund të sezonit që shkoi dhe akuzat e fundit për ngacmim seksual, dhunë ndaj personit dhe armëmbajtje pa leje në një sherr të disa ditëve më parë, që mund t’i kushtojnë lojtarit nga 3 në 12.5 vjet burg, përveç gjobës prej 370 mijë eurosh të marrë nga klubi i tij. Çështja e fundit është edhe më serioze për Arda Turan. E përditshmja turke “Hurriyet” ka bërë të ditur se Prokuroria e Stambollit ka hapur një hetim për futbollistin 31-vjeçar, sepse dyshon se ai ka lidhje me Fethullah Gylen, i cili në Turqi konsiderohet si organizatori i grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016. Arda akuzohet se ka ndihmuar Gylenin në organizimin e grushtit të shtetit, ndërkohë që në hetim janë përfshirë edhe tre emra të tjerë të njohur të futbollit turk.
“Hurriyet” shkruan se përveç Turan, po hetohen edhe dy ish-lojtarët e Interit, Emre Belozoglu dhe Okan Byryk, si dhe Bulent Korkmaz, ish-lojtar i kombëtares turke dhe aktualisht drejtor teknik i Bursasporit. Të gjithë këta dyshohet se kanë dhënë ndihmën e tyre në lëvizjen e Gylenit për të rrëzuar qeverinë e presidentit Rexhep Taip Erdogan, por nuk ia arritën qëllimit. Akuza të rënda, që nëse vërtetohen, do të kenë pasoja të rënda për Turan me shokë. Karriera e lojtarit të Bashakshehirit është në rrezik serioz. Pak ditë më pare bëri bujë sherri i tij me këngëtarin e famshëm turk Berkay, të cilit i ngacmoi bashkëshorten dhe i theu hundën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.