Gazeta Si – Grupi mercenar rus “Wagner”, ka filluar të tërheqë forcat e tij nga qyteti ukrainas Bakhmut dhe t’ua dorëzojë pozicionet e tij trupave të rregullta ruse, tha themeluesi i këtij grupi, Yevgeny Prigozhin në një video të publikuar të enjten më 25 maj.
“Ne jemi duke tërhequr njësitë nga Bakhmuti. Nga ora 5 e mëngjesit të sotëm deri më 1 qershor, shumica e njësive do të transferohen në kampet në pjesën e pasme. Po ia dorëzojmë pozicionet tona ushtrisë”, tha ai.
Videoja u publikua në Telegram nga shërbimi i tij për media. Në të shihet Prigozhin i veshur me veshje luftarake duke qëndruar pranë një blloku apartamentesh të dëmtuar nga lufta.
Yevgeny Prigozhin says Wagner is beginning to pull out of Bakhmut after leading the Russian effort to destroy and seize the city. The mercenary group will complete its withdrawal on June 1, and hand over positions to Russia’s regular military, he says. pic.twitter.com/LC4z7x57Gx
— Christopher Miller (@ChristopherJM) May 25, 2023
Të shtunën, Prigozhin njoftoi kapjen e Bahmutit pas betejës më të gjatë dhe më të përgjakshme të luftës.
Në videon e fundit, Prigozhin, i cili ka kritikuar vazhdimisht publikisht zyrtarë të lartë të mbrojtjes ruse, tha se forcat e tij do të ishin gati të ktheheshin në Bahmut nëse ushtria e rregullt nuk ishte në gjendje të menaxhonte situatën.
Një ditë më parë ai tha se “Wagner” ka humbur mbi 20.000 luftëtarë në betejën për kontrollin e qytetit lindor ukrainas të Bahmutit.
Shifra e të vrarëve përbën 20 për qind të 50.000 të dënuarve rusë që ai rekrutoi për luftën në Ukrainë.
Ky numër i luftëtarëve të vrarë vetëm në betejën për Bahmutin është shumë i lartë krahasuar me numrin e ushtarëve që Rusia pretendon se i janë vrarë gjatë luftimeve në Ukrainë, përkatësisht Moska pretendon se që nga nisja e pushtimit në shkurtin e kaluar, i janë vrarë mbi 6.000 ushtarë.
Rusia ka pretenduar se ka shënuar fitore në Bahmut, por Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha më 24 maj se “luftimet e ashpra” po vazhdojnë brenda Bahmutit.
Bahmuti gjendet në provincën e Donjeckut, që është një prej katër provincave që vitin e kaluar Rusia pretendoi se i ka aneksuar. Këto katër provinca janë pjesërisht në kontrollin e forcave të Moskës./REL/
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



