Pas mbledhjes, grupi parlamentar i PD-së i drejtuar nga Gazment Bardhi, ka dalë me një deklaratë të përbashkët. Në këtë mbledhje morën pjesë 16 deputete dhe tre të tjerë u bënë pjesë përmes komunikimit online
“ Grupi parlamentar shpreh qëndrimin si më poshtë:
1. Ndasitë në mendime dhe qëndrime për çështje të ndryshme brenda Partisë Demokratike nuk duhet të shfokusojnë partinë nga misioni i saj për t’u bërë alternativë qeverisëse. Në këtë kuadër, është emergjente ndërprerja e menjëhershme e çdo sulmi, shpifje apo gjuhe urrejtje ndaj çdo anëtari të partisë apo cilido që mendon ndryshe.
2. Riorganizimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë, me synim bashkimin e demokratëve, forcimin e partisë dhe ndërtimin e një partie moderne, gjithëpërfshirëse dhe që krijon besimin tek shumica e qytetarëve shqiptarë, duke angazhuar dhe afruar individë me reputacion dhe që i shërbejnë mbrojtjes së interesit publik…”, thuhet në deklaratën e grupit.

Më tej, grupi parlamentar kërkon krijimin e një grupi pune përbashkues për ndjekjen dhe realizimin e procesit të riorganizimit, sipas një plani të qartë, transparent dhe gjithëpërfshirës, që ndjek këto hapa: 1) Hapja e partisë dhe certifikimi i anëtarësisë aktuale; 2) Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grupseksioni dhe dege; 3) Procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë.
Grupi i Punës që bën edhe drejtimin politik ngre grupe pune në nivel qarku për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe fuqizimin dhe organizimin e partisë pa asnjë paragjykim dhe duke shmangur çdo rrethanë apo faktor ndarës.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vëren në deklaratën e përbashkët se, “nuk do të mbështete asnjë proces organizimi të nxituar, të njëanshëm, që nxit përçarjen dhe thellon ndasitë brenda Partisë Demokratike”.
“Dua të sjell në vëmendje të opinionit që grupi parlamentar i Partisë Demokratike, në vijimësi gjatë këtij viti e gjysmë, është e vetmja trupë brenda Partisë Demokratike që në mënyrë koherente ka bërë thirrje për bashkimin e demokratëve, mos përçarjen e tyre, mos krijimin e ndasive, çarje që sjellin humbjen e opozitës dhe forcimin e kundërshtarit tonë politik”, tha Gazment Bardhi pas përfundimit të mbledhjes.
Bardhi tha se është i hapur edhe për një takim me ish kryeministrin Sali Berisha për një bashkim të PD.
“Parimi është unë e jap përgjigjen ashtu si mua ma vjen ta jap. Platforma do të jetë publike, nëse ka apo jo vija te kuqe. Pyetjes tuaj ju kam kthyer disa herë përgjigje. Unë s’kam asnjë problem të ulem me cilindo brenda PD, për të diskutuar se cila është rruga më e mirë për ta çuar përpara PD”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.