Politike

Grupi i punës cakton ekspertët / Rama i beson Reformën Zgjedhore ish-deputetit të PD, u ‘zu’ me Berishën për ligjin e përgjimeve

Ish-deputeti i PD-së që ka punuar për një kohë të konsiderueshme edhe Drejtor i Kodifikimit në kohën e qeverisë “Berisha”, Viktor Gumi, do të jetë një nga dy ekspertët që ka caktuar PS-ja për të negociuar me PD-në e Rithemelimit dhe PL-në për reformën zgjedhore.

Në vitin 2014, Viktor Gumi, pati përplasje në distancë me Sali Berishën që u evidentua nga një intervistë mediatike që ish-deputeti i PD-së dha.

Atë kohë, (2014) Gumi shprehej se Berisha i ndëshkoi të gjithë deputetët demokratë të Komisionit të Ligjeve,  (duke mos i kandiduar si deputet, ndër ta edhe Gumi) pasi ata rrëzuan një nen në ligjin për përgjimet në vitin 2012.

Sipas Gumit, nëse ai nen miratohej, masa e abuzimit me përgjimet shumëfishohej me 29 herë

Grupi i dialogut, gjatë takimit të së premtes, pra praninë e mediave ka rënë dakord për të caktuar ekspertët ligjor të cilët do të punojnë për ndryshimet në Reformën Zgjedhore.

Në total do të jenë 4 ekspert;  Silva Caka- PL, Viktor Gumi- PS, Eridjan Saliani- PS, Ivi Kaso- Rithemelimi

“Të njoftohen ekspertët për hartimin e draft programit të punës brenda datës 10.04.2024.

Të kërkohet nëpërmjet Kryetares së Kuvendit, asistencë me ekspertë nga OSBE/ODHIR për punën e grupit të dialogut mbi adresimin e çështjeve që lidhen me legjislacionin për zgjedhjet

Mbledhja tjetër të zhvillohet ditën e enjte, ora 12.00 dhe të ftohen dhe ekspertët e caktuar të marrin pjesë në këtë mbledhje.

Sekretaria e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut të ndjekë zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në dokumentin e firmosur nga dy kampet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë