Në një mbledhje që ka zgjatur për 90 minuta, kryesocialisti Edi Rama ka qenë tepër i ashpërë me deputetët socialistë. Mbledhja e grupit e zhvilluar në ambientet e kryesisë së Kuvendi paradite, është fokusuar te axhenda e punës së Parlamentit, ku është vendosur që vijohet me rrëzimin e dekreteve të presidentit.
Mësohet se kryeministri i ka kërkuar deputetëve që të angazhohen më tepër në zonat e elektorale dhe i ka “kërcënuar” ato me largime nëse nuk japin kontributin e tyre. “Kush nuk e bën, ta konsiderojë si kërkesë për dorëheqje nga grupi parlamentar dhe karriera në këtë grup”, mësohet se është shprehur kryeministri.
Kreu i qeverisë tha se nëse vazhdohet kështu, do të pësohet humbje, dhe sipas tij, gjithsecili duhet të bëjë detyrën duke i kthyer Partisë Socialiste atë që ka marrë prej saj. Kryeministri Rama mësohet të ketë qenë mjaft kritik sa i takon mungesës së raportimeve për ato që nuk shkojnë kryesisht me shërbimin në zyrat e shtetit.
“Partia Socialiste s’mund të qëndrojë në pushtet duke ngrënë dhjamin e vet. S’mund të shkojmë në zgjedhje e të përsërisim të njëjtat gjëra sepse do shkojmë të humbim. As Partia Socialiste e as unë s’e mbajmë dot më këtë maskaradë e këto zullume që bëhen në zyrat e shtetit. S’keni ngritur asnjëherë asnjë shqetësim se si funksionojnë zyrat e shtetit. Ju interesoheni vetëm për drejtorët, kush shkon e vjen. Mbajeni mend, që do humbim pushtetin nëse vazhdojmë kështu. Ju mbajeni sa të doni se unë s’do pres fundin e as ju”, mësohet të jetë shprehur kreu i mazhorancës.
Partia Socialiste ka nisur zgjedhjet e brendshme të saj ku do të finalizohen me kongresin e kësaj partia në janar. Këto përgatitje përfshijnë zgjedhjen e drejtuesve të rinj dhe të delegatëve të Kongresit, ndërsa pritet të rifreskohen kështu të gjitha strukturat e kësaj partie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




