Politike

Grupi i PD, Bardhi: Miratuam propozimin tonë për votën e emigrantëve (sërish kusht koalicionet)

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka miratuar nismën e tij për votën e emigranteve. “Grupi parlamentar ka miratuar propozimet e kolegëve që janë pjesë, përfaqësues të opozitës në grupin e dialogut sa i takon reformës zgjedhore.

Në fokus diskutimet ishte pa diskutim depozitimi i propozimeve tona ligjore sa i takon zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetues për votën e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë.

Ajo ka mbështetjen e grupit parlamentar të PD dhe besojmë që zgjidhja që kanë dhënë përfaqësuesit tanë është më e mira dhe që siguron votë për secilin shqiptar që jeton jashtë territorit të Shqipërisë”, tha Bardhi për gazetarët.

Por ai shtoi se Edi Rama duhet të pranojë kthimin tek formula konsensuale e koalicioneve te përbëra, e cila u zhbë njëanshëm 5 tetorin e 2020-ës. “Pa dyshim Edi Rama i qëndron rregullave që cakton vetë. Kolegët kanë bërë një punë shumë të mirë në grupin e dialogut, pavarësisht se argumentet e tyre deri tani kanë rënë në vend të shurdhër. Jam i bindur që do të vazhdojmë ta bëjmë atë betejë, jo për të bërë atë që do grupi parlamentar i Partisë Demokratike, por atë rregull që kishim dakordësuar bashkërisht se si do të merrnim pjesë në garë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë