Futboll

Grupet e Europa League – Me fat të mëdhatë, Agolli kundër Arsenalit

Short me fat për skuadrat e mëdha europiane që marrin pjesë në fazën e grupeve të Europa League. Në Montekarlo është hedhur shorti, që ka përcaktuar 12 grupet me nga 4 skuadra secili. Skuadra me emër si Milani, Çelsi dhe Arsenali e kanë të lehtë kalimin e grupit në letër, pasi do të ndeshen me kundërshtarë relativisht të dobët. Lacio e shqiptarëve Tare, Strakosha e V.Berisha u rendit në vazon e parë, për shkak të eliminimit të Bazelit. Megjithatë, nuk e ka shumë të lehtë, pasi ka rënë në Grupin H, me Olimpikun e Marsejës, Eintrahtin e Frankfurtit dhe Betisin.

Milani bën pjesë në Grupin F, bashkë me grekët e Olimpiakosit, Betisin dhe Dudelanzh, skuadrën nga Luksemburgu që ka bërë surprizën më të madhe gjatë fazës eliminatore. Ansi Agolli me Karabagun e tij do të ketë mundësinë të luajë në Londër ndaj Arsenalit, pasi ka rënë në Grupin E me ekipin e Xhakës, Sportingun e Lisbonës dhe Vorsklën. Kurse Anderlehti i Kristal Abazajt bën pjesë në Grupin D, bashkë me Fenerbahçen, Dinamon e Zagrebit dhe Spartak Tërnavën. Një grup më i vështirë ai i Gllasgou Rejnxhërs, ekipit të ri të Eros Grezdës, që ka si kundërshtarë Spartakun e Moskës, Vilarrealin dhe Rapidin e Vienës. Interesant është fakti se Salcburgu dhe Lajpcigu, klube me të nëjtin sponsor, kanë rënë në të njëjtin grup. Bie në sy pjesëmarrja në këtë kompeticion e skuadra “të panjohura” si AEK Larnaka, Spartak Tërnava, Sarpsborg, Akhisaspor, VIDI, Jablonec, Vorskla dhe Dudelanzh.

Grupet e Europa League

Kualifikohen dy skuadrat e para të çdo grupi për në fazën me eliminim direkt, që nis në muajin shkurt të 2019-ës. Këtyre 24 skuadrave të kualifikuara u bashkohen edhe 8 skuadra që vijnë nga Championsi. Finalja është përcaktuar të luhet më 29 maj në Baku, në Azerbajxhan. Pra, finalja luhet në “shtëpinë” e Ansi Agollit, pjesëmarrës në këtë kompeticion me Karabagun.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë