Gazeta Si - Prokuroria e Posaçme ka kërkuar 12 vite burg për ish-shoferin e Ardi Veliut, Sokol Idrizaj, familjarë të tij dhe anëtarë të një grupi kriminal, të cilët akuzohen për kontrabandë mallrash, mos deklarim të ardhurash, pastrim parash dhe ushtrim pa licencë të aktiviteteve financiare.
SPAK kërkoi 12 vite heqje lirie edhe për bashkëshorten e Sokol Idrizajt, Elda Idrizaj, 10 për të birin, Egi Idrizaj dhe 6 vite për vajzën tjetër të çiftit, Bora Idrizaj.
Nëse kjo pretencë miratohet nga GJKKO, të pandehurit do të përfitonin zbritjen me 1/3 e dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Nga 12 vite burg kërkoi organi i akuzës dhe për Agustin Mesulin dhe Altin Dodën, 10 për Florian Baku dhe nga 6 vite për Vangjush Kasharrën e Tmorr Barutin. Gentian Aga dhe Alid Shehi janë ndarë nga grupi që përbëhej me 12 persona dhe po gjykohen në proces të zakonshëm.
Seanca për mbrojtjen e të pandehurve, ku mund të jepet njëherësh edhe vendim nga gjykata, u caktua të mbahet në datën 19 nëntor ora 12:30.
Në maj të vitit të kaluar, Sokol Idrizaj, bashkëshortja e tij dhe dy vajzat e çiftit u vunë nën akuzë nga SPAK, pasi dyshohen si anëtarë të një grupi kriminal.
Në kuadër të këtij procedimi u arrestuan në total 12 persona. Këta shtetas dyshohet se kanë transportuar sende të vjedhura dhe me vlerë të çmuar nga shteti francez drejt Shqipërisë, ku janë shitur në mënyrë të fshehtë dhe kontrabandë përmes argjendarisë së shtetasit Vangjush Kashara në Tiranë.
Verifikimet e SPAK treguan se këto grupe që funksiononin që para vitit 2019, kanë kaluar drejt Francës 724,386 euro për blerje të sendeve, shifër kjo që i përket vetëm transaksioneve bankare, ndërsa shumat në cash, të cilat janë transportuar nëpërmjet kufirit shtetëror në mënyrë të paligjshme, kapin vlerën e 2.1 milionë eurove dhe 35.000 franga.
Përveç këtyre shumave monetare personat nën hetim kanë transportuar në mënyrë të paligjshme edhe rreth 3.4 kg sende të çmuara (flori).
Produktet e luksit të blera në territorin francez nga këta shtetas janë transportuar në Shqipëri nga vetë ata si dhe bashkëpunëtorët e tyre nëpërmjet kompanive të transportit Francë-Shqipëri.
Këto sende më pas janë futur kontrabandë në territorin shqiptar, të cilët janë shitur tek persona të ndryshëm duke fshehur njëkohësisht edhe të ardhurat e fituara nga ky aktivitet i paligjshëm.
Ndërsa në Francë, autoritetet atje kanë sekuestrua 215 569 Euro, 115 bizhu të ndryshme, 50 orë dore luksoze. Si dhe janë arrestuar 13 persona të tjerë në Francë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.