Nga Gazeta Si- Bimët aromatiko-mjekësore dhe lloje të tjera bimësh janë në rrezik zhdukje, ku ‘fajtorët’ kryesorë janë njerëzit, e më pas ndryshimet klimatike.
Aktiviteti njerëzor në vendin tonë ka patur dhe akoma ka një ndikim të fortë në ekosistemet natyrore, duke bërë që një pjesë e bimëve dhe kafshëve të jenë zhdukur, një pjesë e konsiderueshme llojesh bimore e shtazore janë të rralla e që mund të rrezikohen për tu zhdukur dhe një numër edhe më i madh llojesh konsiderohen në gjendje të keqe.
Në raportin e fundit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit thuhet se faktori kryesor që ka shkaktuar kërcënime serioze për ekzistencën e shumë llojeve bimore (edhe aromatiko-mjekësore) padyshim janë njerëzit dhe aktivitetet e tyre.
“Ndërkaq shpyllëzimet masive, zjarret pyjore, shfrytëzimi intensiv i tokës, tharja e moçaleve, ndotja e tokës, ajrit dhe ujit janë vetëm disa nga faktorët që vazhdojnë të rrezikojnë dhe përkeqësojnë gjendjen e biodiversitetit në vendin tonë”, thuhet në raport.
Llojet drunore dhe bimët aromatiko- mjekësore të kërcënuara dhe në rrezik zhdukje
Disa prej llojeve si; Caracën e Kaukazit, Rrenjën, Gështenjën e kalit, Lajthinë e egër etj janë në kufijtë ekstrem të rrezikimit.
Shkaktarët për kërcënimin për zhdukje për llojet e mësipërme janë të ndryshëm dhe kryesisht si pasojë e ndryshimeve klimatike apo prishjes së habitatit të tyre.
Kërcënimi vjen edhe si pasojë e shfrytëzimit pa kriter të ndodhura në vitet e mëparshme apo zjarreve.
Vlerësimi për bimët aromatike-mjekësore
Meqenëse lloji i Sherebelës është një ndër bimët më kryesore aromatiko-mjekësore të vendit tonë dhe është mjaft e kërkuar nga tregu vendas dhe ai i huaj janë ngritur sipërfaqe në disa bashki.
Por grumbulluesit e këtyre bimëve kanë informacion të pakët në lidhje me teknikat dhe kushtet e shfrytëzimit racional të kësaj pasurie dhe në raport shkruhet se ky është dhe një ndër problemet kryesore i cili po ndikon mjaft negativisht dhe po bën të mundur që një pjesë e kësaj bimësie të rrezikohet për tu zhdukur.
Çaji i malit
Nga verifikimi i bërë në terren del se numri i bimëve brenda sipërfaqes është i lartë por grumbullimi i çajit të malit kryhet masivisht, pasi ai kërkohet si nga tregu vendas ashtu dhe nga tregu i huaj.
Salepi
Kjo kulture sa vjen dhe po rrezikohet. Kjo gjë u vu re pasi rezultoi se ka një numër bimësh të pa ndryshuar nga viti kaluar dhe një gjendje vegjetative e cila ishte më e dobët se në vitin paraardhës, gjë kjo e cila vjen si pasojë e mos zbatimit të rregullave të grumbullimit nga ana e personave të paliçensuar.
Rënia e halave/gjetheve
Vëzhgimet e kryera ndaj fenomenit të rënies së halave për llojet e halorëve dhe rënia e gjetheve për llojet fletorë, tregojnë se ka rritje të këtij fenomeni gjatë këtij viti, çka tregon një përkeqësim në gjendjen e kurorave të drurëve.
“Këto reagime kanë ardhur si rezultat i ndikimit nga thatësira, mungesa e lagështirës ajrore dhe ujit, të cilat kanë shkaktuar rënien e halave e gjetheve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



