Ne rrjet

Grubi në ‘listën e zezë’ të SHBA / Mickoski: Turp i madh për shtetin! Opozita: Të tërhiqet nga jeta politike

Nga Gazeta ‘Si’- Shpallja non-grata e ish zv.kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi dhe gjykatësit të Gjykatës së Apelit Enver Bexhetit, nxiti reagime të shumta në Maqedoninë e Veriut.

Në një njoftim të DASH-it thuhej se Grubi dhe Bexheti “morën ryshfet duke minuar proceset gjyqësore që lidheshin me dënimin e Sasha Mijalkovit, drejtor i Agjencisë për Sigurinë dhe Zbulimin të Maqedonisë së Veriut”.

Ndërsa partia më e madhe në pushtet VMRO-DPMNE e kryeministrit Hristijan Mickoski e quajti përcaktimin e Grubit dhe Bexhetit “një turp të madh për shtetin”, eksponentë të opozitës kërkuan që ai të tërhiqet nga jeta politike.

Lidhur me gjykatësin Enver Bexheti, VMRO-ja thotë se ai mbante në sirtarë rastin e (ish-kreut të shërbimit sekret Sasho) Mijalkovit që dëshmon, sipas saj, partizimin e gjyqësorit.

“Gjykatësit e mbështetur nga Artan Grubi dhe BDI-ja dalëngadalë po përfundojnë në listën e zezë të SHBA-ve së bashku me anëtarë të BDI-së”, thuhet në një komunikatë të VMRO-së.

Arben Taravari, drejtues i njërit krah të Aleancës për Shqiptarët dhe Ministër i Shëndetësisë duket se e ka pritur me kënaqësi lajmin ndërsa shkruan në Facebook se “ka një lajm për ata të cilët po protestojnë nën çadra (para Gjykatës Kushtetuese lidhur me paralajmërimet për degradimin e gjuhës shqipe) se Artan Grubi sapo u shpall persona non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”.

Ndërkohë, Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa dhe njëkohësisht kryetar i komunës së Tetovës shkruan po në Facebook se “ u vulos edhe nga partnerët tanë strategjik se shumë funksionarë të BDI-së janë të zhytur në korrupsion. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shpallën Artan Grubin persona non-grata. Kjo edhe një dëshmi që kemi thënë vazhdimisht se BDI-ja po bën shou për të shpëtuar veten e tyre në çdo rast, edhe së fundi me tendat ata po mundohen të mbulojnë korrupsionin dhe aspak nuk ju bëhet vonë për gjuhën shqipe!"

Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët në opozitë, krahu i Ziadin Selës thotë se në vazhdimësi ka dënuar dhe denoncuar publikisht lidhjet e gjyqësorit me politikën dhe oligarkinë.

“Partia përshëndet vendimin e fundit të SHBA-ve, partnerit më të rëndësishëm strategjik të Maqedonisë së Veriut dhe popullit shqiptar”, thuhet në një reagim të lëshuar nga kreu i ASH-së, Ziadin Sela.

“Lufta kundër korrupsionit shënon një hap të rëndsishëm në sendërtimin e shtetit të së drejtës dhe ardhmërisë sonë. Ftojmë të apostrofuarit, të tërhiqën nga jeta institucionale dhe politike, e si qytetarë të lirë të përballen me akuzat. Përgjegjësia individuale është gurthemeli i një shteti modern, i paanshëm dhe demokratik” thuhet më tej në reagimin e zotit Sela.

Nuk pati një reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ndërsa ambasadorja amerikane në Shkup, Angela Aggeler, shkroi në rrjetet sociale se ky përcaktimi është dëshmi se ndërhyrja politike në gjyqësor nuk mund dhe nuk do të tolerohet.

“SHBA-ja do të vazhdojë të përcaktojë ata që përfshihen në korrupsionin e lartë që dëmton institucionet demokratike dhe gërryen besimin e publikut. Askush nuk është mbi ligjin dhe përgjegjësia është thelbësore për të ecur përpara”, shkroi ambasadorja amerikane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë