Tre vjet burg, minus nëntë muajt të vuajtura tashmë: ky është dënimi i dhënë në SHBA për Emma Coronel Aispuro, gruan e mbretit të trafikut të drogës “El Chapo”, për trafik droge dhe pastrim parash.
Një dënim më pak se katër vjet i kërkuar nga prokuroria. Gjykatësi federal Rudolph Contreras, pranoi se ish-mbretëresha e bukurisë, tani 32 vjeçe, u shpall fajtore pas arrestimit të saj shkurtin e kaluar, ishte vetëm adoleshente kur u martua me bosin botëror të narko-trafikut.
Gruaja e Joaquin "El Chapo" Guzman Loera, u arrestua më 22 shkurt në aeroportin Dulles, Virxhinia, SHBA, e akuzuar si pjesë e një rrjeti trafikantësh droge të dedikuar për eksportin e kokainës, metamfetaminës, heroinës dhe marijuanës në SHBA.
Emma Coronel Aispuro, u akuzua gjithashtu se ndihmoi të shoqin të arratisej nga burgu meksikan i Altiplanos në vitin 2015 dhe se kishte planifikuar një arratisje të re në 2017-ën, kur kreu i kartelit të gjithëfuqishëm, Sinaloa, i arrestuar sërish në Meksikë vitin e kaluar, ishte rrugës për t'u ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po vuan dënimin e përjetshëm në burgun e sigurisë maksimale në Florences, Kolorado.
Gruaja, me një kostum të errët, me fytyrën pjesërisht të fshehur nga një maskë e zezë, nuk ka reaguar pas komunikimit të dënimit. Ajo vetë, në qershor, u deklarua fajtore për tre akuza: konspiracion në trafik droge, pastrim parash dhe transaksione me një trafikant të huaj droge.
Mariel Colon, avokatja e 32-vjeçares, mohoi që klientja e saj të bashkëpunonte me magjistratët për të marrë një dënim më të lehtë dhe mohoi që ajo të përfitonte nga statusi i dëshmitares së mbrojtur.
“Vajzat e saj janë në Meksikë dhe ne e dimë shumë mirë se çfarë ndodh me ata që bashkëpunojnë dhe familjet e tyre”, tha avokatja për televizionin “Univision”, nga frika e hakmarrjes nga kartelet e fuqishme të drogës në Meksikë.
Prokurorët, duke kërkuar dënimin me katër vite burg, theksuan se gruaja nuk kishte precedentë penalë para arrestimit dhe se "ajo pranoi shpejt përgjegjësitë e saj".
Ajo, gjithashtu ndihmoi El Chapon të planifikonte një arratisje përmes një tuneli të gërmuar nën një burg në Meksikë në vitin 2015, duke i siguruar atij një orë GPS të fshehur në ushqim.
Avokatët mbrojtës theksuan gjithashtu se gruaja ishte 17 vjeçe kur takoi Guzmanin për herë të parë dhe u martua me të kur ishte 18 vjeçe.
"Ajo ishte një e mitur shumë mbresëlënëse, e martuar me një burrë të fuqishëm më shumë se tre dekada më të vjetër se ajo", kujtuan avokatët mbrojtës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.