Këshilli Administrativ i “F.C.Internazionale Milano S.p.A” ka aprovuar bilancin financiar të sezonit 2020/2021, që tani duhet të aprovohet edhe nga ana e asamblesë së aksionerëve brenda muajit tetor. Dhe sipas këtij bilanci, Interi ka regjistruar një humbje prej 245.6 milionë eurosh, më e larta e të gjitha kohërave për një klub të Serisë A. Janë kaluar edhe 210 milionët e Juventusit.
Kjo shifër e lartë humbjesh, siç shpjegon klubi në një komunikatë, është shkaktuar kryesisht nga zerimi i të ardhurave që vinin nga shitja e biletave. Stadiumet për shumë kohë kanë qenë të mbyllur dhe përveç arkëtimit të munguar nga biletat, janë reduktuar edhe kontratat me sponsorët.

Sinjalet pozitive ndërkohë vijnë nga sezoni aktual, ku veç hapjes së pjesëshme të stadiumeve ndikon edhe pozitiviteti në fushatën e transferimeve verore, si dhe nënshkrimi i kontratave të reja të rëndësishme të sponsorizimit global. Të gjitha këto do të sjellin reduktimin e humbjeve.
Strategjia e klubit është e përqendruar te monitorimi i kostove. Interi është në pritje të hapjes së plotë sa më shpejt të stadiumeve, që është një burim shumë i rëndësishëm të ardhurash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




