Futboll

Gropa ne mesfushë, Juve i kthehet objektivit Milinkoviç-Saviç

Gazeta Si – Mesfusha e Juventusit është një kantier i hapur. Dëmtimet e Pol Pogba dhe MekKenit dhe shitjet e mundshme të Artur dhe Rabiot mbajnë varur gjithçka. Klubi torinez ndërkohë vazhdon gjuetinë për të forcuar këtë repart dhe tashmë sytë janë kthyer nga Milinkoviç-Saviç.

Nuk është vetëm Paredes në shënjestrën e Juventusit. Lojtari i Lacios, edhe më parë i ndjekur nga bardhezinjtë, mund të jetë goditja e befasishme për trajnerin Masimiliano Alegri.

Milinkoviç Saviç në dyluftim me Kumbullën. Gazeta Si, 1 gusht 2022

Sergej Milinkoviç-Saviç është pëlqyer gjithmonë nga ‘Zonja’, që ende nuk ka bërë një ofertë konkrete për të. Lacio kërkon 60 milionë euro për futbollistin serb dhe me sa duket, deri tani nuk ka marrë oferta në këtë lartësi as nga klubet e tjera.

Aktualisht, kontaktet mes agjentit të Milinkoviç-Saviç dhe klubit torinez janë rindezur. Juventusi është gati të shfrytëzojë rastin për të bërë të vetin edhe mesfushorin serb.

Gjatë viteve të fundit, Milinkoviç-Saviç ka treguar nivel të lartë në Serinë A. Serbi duket plotësisht gati për Juventusin, por kuptohet që vendimtare është ana ekonomike. Për lojtarin në fjalë ka pasur interesim edhe nga Mançester Junajtid dhe Çelsi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë