Gazeta Si – Ndërsa vijon ende asgjësimi i pulave të ngordhura, një vatër të re e gripit të shpendëve është konfirmuar në Vlorë. Lajmin e ka bërë të ditur në një deklaratë për mediat zv/ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci.
“Në 24 orët e fundit kemi një rast të ri të konfirmuar, kemi një vatër të re në qarkun Vlorë. Vazhdojmë fushatën sensibilizuese”, – tha ajo.
Megjithatë, sipas zëvendësministres së Bujqësisë, monitorimi është shtrirë në të gjithë territorin.
Ndërkohë që vijon asgjësimi i pulave të infektuara, Ministria e Bujqësisë thekson edhe njëherë se nuk ka asnjë rrezik nga konsumi i mishit dhe vezëve të gatuara me temperatura më të larta se 70 gradë Celsius.
Gripi i shpendëve shpërtheu rreth një javë më parë, ku u raportuan infektime në disa pulari në Durrës, Devoll dhe Divjakë.
Deri tani, raportohet se rreth 500 mijë pula kanë ngordhur në të gjithë vendin si pasojë e infektimeve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




