Gazeta Si – Një shpërthim i Gripit të Shpendëve është vërejtur dy muajt e fundit në koloninë e Pelikanit Kaçurrel në anën greke të Liqenit të Prespës së Vogël. Ky fakt u raportua publikisht nga Shoqata për Ruajtjen e Prespës (Society for the Protection of Prespa) me vendndodhje në Agios Germanos, Prespë, Greqi.
Ngjarjet masive të vdekshmërisë filluan rreth datës 15 shkurt, rreth një javë pasi individët e parë të Pelikanëve kaçurrelë kishin mbërritur në Prespë nga zonat e tyre të dimërimit në Greqinë verilindore dhe në Turqinë perëndimore. 11 vdekjet e para të Pelikanëve u regjistruan më 17 Shkurt 2022. Numri u rrit në 17 më 21 dhe në 60 më 23. Një ekzaminim i fotografive të kolonisë dokumentoi gjithsej 209 kufoma të Pelikanëve kaçurrel, plus 1 Çafkë të përhime të ngordhur.
Ndërkohë, shumë shpendë ende të gjallë shfaqën simptoma neurologjike të Gripit të Shpendëve. Më 2 Mars u numëruan gjithsej 240 Pelikanë të vdekur, plus dy Mjellma me xhungë (Cygnus Olor) dhe një ditë më pas u regjistruan gjithsej 574 Pelikanë të ngordhur, raporton Federata e Ornitologëve Shqiptare. Të gjithë pelikanët ishin individë të rritur dhe kufomat ndodheshin në ishujt e folezimit ose në ujë në afërsi të kolonisë.


Nga rreth 1000 Pelikanë kaçurrel të mbërritur në Prespë në 15 ditët e para të shkurtit, deri më tani është regjistruar një humbje në shkallë të gjerë prej gati 60%. Në të njëjtën kohë, gjithnjë e më shumë Pelikanë po mbërrijnë pothuajse çdo ditë nga liqeni i Kerkinit në Greqinë veri-qendrore dhe ligatina të tjera dimëruese.
A rrezikohet kolonia e pelikanëve në Lagunën e Karavastasë?
Ardian Koci, drejtori i Parkut Divjakë, ka thënë për Gazetasi.al se rreziku është shumë i ulët pasi ky kolonitë nuk ‘komunikojnë’ me njëra-tjetrën.
“Nuk kemi konstatuar infeksion në koloninë tonë”, tha Koci për Gazetasi.al.
Gjithsesi, për çdo rast, Koci tregon se janë marrë masa në drejtim të sensibilizimit të popullatës nëse konstatohen ngordhje.
Ndërkohë, sipas Federatës, në Prespë kanë mbërritur tashmë katër Pelikanët rozë (Pelecanus onocrotalus) të parë, ndërsa shumica e tyre pritet të mbërrijnë më vonë, në Mars dhe Prill. Pelikanët rozë mbërrijnë në Prespë nga zonat e tyre të dimërimit të ndodhura në Afrikën Sub-Sahariane. Ata kalojnë përmes Izraelit dhe Turqisë. Kohët e fundit, një vdekshmëria në shkallë të gjerë e shkaktuar nga varianti H5N1 i Gripit të Shpendëve u regjistrua në Izrael (në fund të 2021 dhe në fillim të 2022), kryesisht në Krillat (Grus grus), por edhe në Pelikanët rozë dhe specie të tjera përfshirë shpendë uji dhe shpend grabitqarë. Prej ku dhe rreziku i lartë për individë të tjerë të infektuar që mund të vijnë nga zonat jugore të shtegtimit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



