Ngjarje

Gripi i shpendëve / Ministria e Bujqësisë: Situata nën kontroll, kampionet e testuara rezultuan negative

Nga Gazeta Si- Situata e gripit të shpendëve është nën monitorim dhe kontroll. Kështu ka njoftuar Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në lidhje me situatën e gripit të shpendëve në vend. Në një postim në faqen zyrtare të Ministrisë bëhet e ditur se përgjatë javës së fundit janë angazhuar në terren grupe ditore me 7 veterinerë për monitorimin e 2304 fermave, në të cilat mbarështohen 96 900 shpendë të kategorive dhe llojeve të ndryshme.

“Përgjatë fundjavës, në datat 30 Tetor- 3 Nëntor 2024, grupe ditore me përbërje të 7 veterinerëve zyrtarë të shërbimit dhe kontrollit, janë angazhuar në terren, sipas përcaktimeve të perimetrit të zonës së mbrojtjes dhe mbikëqyrjes për inventarizimin dhe monitorimin klinik të 2304 fermave, në të cilat mbarështohen 96 900 shpendë të kategorive dhe llojeve të ndryshme.

ISUV ka analizuar 90 mostra zyrtare, ndërsa kampionet e marra në njerëz pranë fermave kanë rezultuar negative.

“Nga data 30 Tetor deri në 3 Nëntor, në ISUV kanë mbërritur dhe janë analizuar 90 mostra zyrtare, të cilët janë testuar me metodën e akredituar dhe të avancuar molekulare RT-PCR. Ndërsa kampionet në njerëz të marra janë testuar nga Instituti i Shëndetit Publik, dhe kanë rezultuar negative. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural po bashkëpunon me Institutin e Shëndetit Publik, i cili po kryen një survejancë të përforcuar për infeksionet respiratore në zonën e fermës së prekur nga sëmundja, përkatësisht, për zbulimin në kohë dhe marrjen e masave kundër virusit H5N1”.

Minsitria njofton gjithashtu se “masat kufizuese dhe parandaluese do të jenë në fuqi deri në përfundimin e afatit të karantinës, si dhe Qendrat Kombëtare dhe Rajonale të Krizës do të vazhdojnë koordinimin dhe funksionin e tyre deri në mbylljen e rasteve, pa rekurenca”, teksa fton qytetarët dhe shpendërritësit të kontaktojnë për çdo informacion dhe lajmërim, AKV-në.

Një vatër me gripin e shpendëve është identifikuar në fshatin Mëzez në Tiranë ditën e shtunë, duke rritur frikën për një përhapje masive të gripit të shpendëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë