Gazeta Si – Nuk ka asnjë alarm të ri për gripin e shpendëve në Shqipëri, sikundër nuk ka as dyshime dhe rikonfirmime për raste të reja.
Lajmin e bën të ditur Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, e cila publikoi këtë të premte (8 nëntor) edhe masat e marra dhe kontrollet e ushtruara në të gjitha qarqet, kryesisht fermat e kafshëve.
Në harkun javor 30 tetor-7 nëntor 2024, ministria bën me dije se ka vijuar monitorimin në fshatrat e zonës së mbikëqyrjes 3 km dhe atë të zonës së mbrojtjes 10 km, për të kontrolluar dhe inventarizuar 3935 ferma shpendësh të madhësive të ndryshme.
“Nga kontrolli fizik i shpendëve në këto ferma, gjendja shëndetësore është paraqitur pa shqetësime lidhur me kuadrin klinik të Influencës Aviare. Qendrat Kombëtare dhe Rajonale të Krizës kanë vazhduar raportimin dhe koordinimin ditor deri në mbylljen e rastit dhe daljen nga karantina të vatrës pozitive”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Gjithashtu mësohet se për gjurmim të hershëm dhe kufizim të përhapjes së sëmundjes, shërbimi veterinar i AKVMB ka marrë dhe dërguar në ISUV 209 mostra për analizim rreth rrezes 3 km dhe 10 km.
Monitorim është bërë edhe për qarkun e Tiranës, ku “nuk janë konstatuar probleme me tregtimin e produkteve ushqimore me origjinë shtazore dhe specifikisht nga shpendët”. Kontrolli është ushtruar në 22 subjekte tregtare të vezëve, mishit të pulës dhe restorante.
“Instituti i Shëndetit Publik informon se është në monitorim të vazhdueshëm të situatës shëndetësore në njerëz, ku deri më sot nuk ka njoftime apo raste të dyshuara për simptoma të ngjashme respiratore. Gjithashtu, ISHP është në kontakt të vazhdueshëm me mjekët e familjes”, thekson ministria.
Në njoftimin e saj, Ministria e Bujqësisë këshillon konsumatorin shqiptar që “të konsumojë produkte të certifikuara dhe kontrolluara nga autoritetet përkatëse, të ruajë kushtet higjienike, si dhe të sigurojë trajtimin termik në temperatura të larta gjatë konsumit të produkteve me origjinë shtazore”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.