“Fermat e vogla nuk janë të informuara mbi grupin e shpendëve, Ministria e Bujqësisë nuk ka shpërndarë asnjë broshurë dhe informacionin e kanë vetëm fermat e mëdha.”
Specialisti i bujqësisë dhe veterinarisë, Ervin Resuli e sheh me shqetësim situatën pas konfirmimit zyrtar të rasteve me gripin e shpendëve, megjithëse tregon se nuk ka shenja për përkeqësim. “Por - thotë ai - duhet të jemi gjithmonë gati për më të keqen”.
“Sipas disa testeve të fundit, mostrat kanë dalë negative. Rreziku i vetëm tani mund të jetë nga shpendët shtegtarë që lëvizin nga vendi në vend. Sa herë rikthehet ky grip, është në të njëjtin sezon, shkurt e deri tani, sepse në këtë periudhë lëvizin shpendët. Gjithashtu, virulenca e këtij gripi është e madhe”, shprehet
Siç njoftoi Ministrisë së Bujqësisë, gripi i shpendëve i njohur edhe si H5N8, ka mbërritur tashmë edhe në vendin tonë, ku sipas autoriteteve janë evidentuar 3 vatrat e para të infektimit në Dajt, Fushë-Krujë dhe në një fshat të Tropojës. Pak ditë përpara se të njoftonte vatrat e H5N8, Ministria kishte njoftuar se kishte ndaluar importin e shpendëve nga vendet e huaja që ishin prekur nga ky virus.
Virusi i shpendëve, sipas Resuli sjell dy probleme të mëdha; dëmin ekonomik të fermerëve dhe dëmin në shëndetin e njerëzve. Ai përmend dyshimet për infektimet nga individët tek njëri-tjetri, por asgjë nuk është konfirmuar ende.
Për të penguar avancimin e situatës, Resuli sugjeron “karantinimin” e shpendëve, atë që në gjuhën e biologjisë quhet biosiguri.
“Ne duhet të vendosim masat e biosigurisë. Kontrollin e njerëzve dhe shpendëve kur lëvizin. Të vendosen kufizime ndërmjet kafshëve në ferma, dritare të mbyllura dhe të shmanget lëvizja e njerëzve apo mjeteve nga një fermë në tjetrën. Një hap që Kosova e ka bërë shumë më herët. Duhet të mbyllen edhe tregjet e shpendëve”, shprehet Resuli për Gazetën “Si”.
Ai shton së qytetarët duhet të tregojnë kujdes në konsumin e produkteve apo nënprodukteve që vijnë nga shpendët, duke i trajtuar ato termikisht në mbi 70 gradë celsius, pasi kështu gripi mund të shkatërrohet.
“Shqetësimi tjetër është edhe mungesa e koordinimit. Sektori privat dhe publik duhet të bashkëpunojnë në këtë rast, sepse ky është problem i të gjithëve”, thotë Resuli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.