Shendet

Gripi i shpendëve / Çfarë fshihet pas shpërthimit?

Bota po kalon shpërthimin e saj më të keq ndonjëherë të gripit të shpendëve.

Lloji shumë infektiv H5N1 është përgjegjës për ngordhjen e miliona shpendëve, grip që ka kaluar tashmë edhe tek gjitarët dhe rrezikon të kalojë edhe tek njerëzit.

Çfarë është gripi i shpendëve dhe sa vdekjeprurës është ai?

“E ka origjinën tek rosat në Europë dhe Azi dhe u përhap tek shpendët dhe gjitarët”, thotë Paul Digard, profesor i virologjisë në Universitetin e Edinburgut.

Virusi mund të përhapet brenda pak ditësh përmes jashtëqitjes, pështymës apo edhe ushqimit dhe ujit.

Çfarë është kaq e pazakontë në lidhje me këtë shpërthim?

Këtë herë kanë ngordhur më shumë se kurrë zogj dhe virusi aktual ka prekur 80 lloje të ndryshme shpendësh.

Profesor Munir Iqbal, nga Instituti Pirbright që studion viruset tek shpendët thotë se më shumë se 40 për qind të shpendëve në Skoci dhe mijëra pelikanë në Greqi kanë ngordhur nga ky virus.

Shkencëtarët nuk janë të sigurt pse ky shpërthim është shumë më i keq se të tjerët. Mund të jetë sepse virusi ka pësuar mutacion që e bën më të lehtë përhapjen nga shpendi në shpend ose mund të rrijë më gjatë në mjedis.

Nancy Beerens, eksperte e gripit të shpendëve në Wageningen Bioveterinary Research në Holandë, e cila analizon mostrat e dyshuara të gripit të shpendëve, thotë se virusi tani mund të jetë i kudondodhur te zogjtë e egër.

“Meqenëse virusi tani ka infektuar shumë lloje të shpendëve, është e pamundur që ai të zhduket përsëri nga popullata e shpendëve”, thotë ajo.

Çfarë po bëhet për të luftuar shpërthimin?

Kina ka vaksinuar pjesën më të madhe të shpendëve shtëpiak por vendet e tjera po e shmangin këtë.

Kjo sepse është e vështirë të dallohet se cili shpend është imun dhe cilët jo dhe mishi e vezët nga tufat e vaksinuara nuk mund të shiten jashtë vendit.

“Ka kontrolle të rrepta të eksportit kur një vend vendos të vaksinojë shpendët”, thotë Maurice Pitesky nga Universiteti i Kalifornisë, Davis.

Qeveritë në vendet e BE-së dhe Amerikën e Veriut në përgjithësi u kanë thënë fermerëve të tyre që të heqin të gjithë shpendët në çdo tufë në të cilën ka shpërthyer gripi i shpendëve.

Pavarësisht nga problemet që u sjell vaksinimi, Franca dhe Holanda kanë filluar të testojnë vaksinimin për të vënë nën kontroll epideminë e gripit të shpendëve.

A është gripi i shpendëve rrezik për njerëzit?

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se 870 njerëz janë infektuar me gripin e shpendëve gjatë 20 viteve të fundit dhe 457 kanë vdekur.

Këto raste ndodhën kur njerëzit ranë në kontakt të ngushtë me zogjtë e infektuar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se përhapja e mëtejshme e virusit H5N1 do të duhet të monitorohet nga afër për të parë nëse ai po ndryshon në një formë që mund të përhapet te njerëzit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë