Nga Gazeta Si- Periudha e dimri sjell edhe shtim të rasteve të virozëve tek njerëzit, kryesisht tek grupet vulnerabël si fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.
Ndërkohë që mjekët apelojnë për vaksinim kundër gripit, një shqetësim i madh është edhe përdorimi i medikamenteve pa recetë mjekë.
Dr. Esi Duka, mjeke infeksioniste pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” thotë se një pjesë e pacientëve paraqiten fillimisht në farmaci duke marrë medikamente pa u konsultuar me mjekun e familjes dhe janë po ky grup njerëzit që paraqiten më pas në spital edhe në forma më të rënduara të gripit, duke shkuar deri në shtrim në spital.
“Këto janë pacientë që paraqiten edhe në forma më të rënduara”.

Mjekja infeksioniste tha se kontakti i parë duhet me mjekun e familjes dhe çdo medikament apo çdo këshillë e mundshme duhet të merret nga mjeku, i cili në varësi të problematikave apo komplikacioneve që bën pacienti do të referohet në shërbimet më të specializuara siç është edhe shërbimi në Spitalin Infektiv.
Dr. Duka bën thirrje edhe për vaksinim, duke treguar se është shumë i rëndësishëm, sidomos në këtë periudhë ku ka shtim të virozave.
“Duke qenë se periudha e ftohtë e vitit shoqërohet me virozat dhe gripin, kemi një shtim të numrit të rasteve që mund të jenë me sindroma gripale të shoqëruara edhe me komplikacione qoftë encefalite, prekje të sistemit nervor si meningite apo forma të rënda të pneumonisë që manifestohen këtë periudhë”, tha Duka, duke shtuar se vaksinimi është shumë i rëndësishëm për të gjitha grupmoshat aq më tepër për të sëmurët që vuajnë nga sëmundjet kronike që mund të jenë hipertensioni arterial, diabeti, apo sëmundshmëri të tjera kronike.
“Vaksinimi mund të bëhet në çdo kohë nëse pacienti nuk ka paraqitur simptoma si temperaturë apo rrufë”, tha Duka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



