Nga Gazeta ‘Si’-Vendimi i Spanjës për të njohur Palestinën si shtet ngriti pyetjen se pse Spanja nuk po bën të njëjtën gjë edhe me Kosovën. Kjo çështje doli edhe gjatë diskutimit të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.
Arsyeja kryesore për mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Spanjës besohet se lidhet me qëndrimin spanjoll karshi aspiratave të rajonit verilindor të saj, Katalonjës, që të pavarësohet. Ky rajon ka pasur disa përpjekje të pasuksesshme që të ndahet nga Spanja, ndërsa Madridi zyrtar e ka kundërshtuar ashpër këtë lëvizje.
“Situata në Palestinë është ndryshe. Njohja e shtetit të Palestinës nuk prek në integritetin territorial të Izraelit, pasi ai territor nuk ka qenë asnjëherë ligjërisht pjesë e shtetit të Izraelit”, ka thënë Elena Aljarilla Cortezon, këshilltare për media në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Spanjës, në një përgjigje për REL.
Sipas saj, vendimi i marrë më 28 maj, për të njohur zyrtarisht shtetësinë e Palestinës, është në përputhje me ligjin ndërkombëtar, parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilat janë detyruese, pasi të miratohen.
Sipas diskutimeve, Gjermania ka qenë “shumë bindëse” për njohjen e Kosovës ndërsa “Spanja ishte në mbrojtje, duke argumentuar se Kosova nuk ishte në agjendë”. Në linjë me Spanjën, shtetësinë palestineze e ka njohur të martën edhe Norvegjia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




