Ngjarje

Tre goditje me thikë në qafë dhe 7 ditë inskenim: si e vrau filipinasi studenten shqiptare në Itali (dhe roli i prindërve të tij)

Shumë dyshime në rrëfimin e 23-vjeçarit, i akuzuar për vrasje me dashje ndaj Ilaria Sulës. Roli i prindërve që ishin në shtëpi me të. Orientimet e gabuara me celularin e viktimës dhe zgjedhja e vendit të paarritshëm për ta hedhur trupin në valixhe

Gazeta Si – Mbeturina dhe pajisje të ndryshkura. Dhe më pas një valixhe e errët, e hedhur mes shkurreve, nga e cila dalin këmbët e një vajze.

Një tmerr, me pamje nga fshatrat e Monti Prenestini. Një zonë e izoluar, e përdorur nga çiftet që kërkojnë qetësi, me një shkëmb, por që nuk arrihet rastësisht.

Këtu, Mark Antony Samson, një student filipinas 23-vjeçar i arkitekturës, hodhi trupin e shqiptares Ilaria Sula, pasi e goditi me thikë disa herë në shtëpinë ku i riu, një ish-punonjës i McDonald’s-it në Flaminio, jeton me prindërit e tij në lagjen “Africano” të Romës.

Tre goditje me thikë në qafë

Mbrëmjen e kësaj të enjteje, rreth 36 orë pas gjetjes së trupit të Ilaria Sulës, e cila u masakrua nga i dashuri i saj filipinas, ka dalë dhe përgjigja e autopsisë.

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, gjatë debatit që Ilaria pati me ish-të dashurin e saj, ky i fundit mori thikën dhe e ka goditur tre herë 22-vjeçaren në qafë, e cila humbi jetën si pasojë të hemorragjisë.

Pasi kreu krimin, ai e mbajti trupin e studentes shqiptare në apartamentin e tij për 20 orë, gjë që ka shtuar dyshimet dhe te prindërit e filipinasit nëse kanë qenë bashkëpunëtorë në krim.

Roli i prindërve

Nuk ka gjasa që babai dhe nëna e filipinasit, Rik dhe Nosr, të mos e kenë vënë re: ata rrezikojnë të akuzohen për bashkëpunim në vrasje.

Në fakt, lindin disa pyetje: kush e ndihmoi Mark të fshehë trupin? Kush i dha ndihmën e një valixhe? A është e mundur që ai e ka ngarkuar atë peshë vetëm në makinë?

Ai, nga ana tjetër, ndodhet tashmë në burgun e Regina Coeli (edhe për fshehje kufome), pasi ka rrëfyer vrasjen në komisariat para prokurorëve.

Pa shpjeguar motivin, thjesht duke thënë: “Kërkoj falje”. Dyshohet se dikush mund ta ketë ndihmuar që të zhdukte trupin e 22-vjeçares me banim në Terni, studente në Fakultetin e Statistikave në Universitetin Sapienza. Për ta zbuluar, do të ekzaminohen të dhënat telefonike dhe pamjet nga kamerat.

Analiza e GPS

Në Romë, Ilaria jetonte me vajza të tjera në një apartament në Via Tiburtina, në lagjen “San Lorenzo”. Ato ishin të parat që u shqetësuan kur në mbrëmjen e 25 marsit nuk u kthye në shtëpi.

“Telefoni i saj celular ishte i fikur”, thanë ata. Madje, për disa ditë, celulari i vajzës ka vazhduar të funksionojë, edhe pse rrjetet e saj sociale, pas disa story të postuara në Instagram, janë mbyllur.

Siç pranoi në rrëfimin e saj, personi që përdorte pajisjen ishte ish i dashuri i saj, i kapur nga analizat e verifikuara në GPS, i cili u dërgonte mesazhe të afërmve dhe miqve të së resë për të fshehur atë që kishte bërë. “Mos u shqetëso, unë jam larguar. Do të kthehem shpejt”. Pastaj heshtje.

Dëshmitari

Nuk dihet se kur është goditur Ilaria, ndoshta në mbrëmjen e zhdukjes së saj, gjatë një debati, sepse ajo nuk donte të kishte më asgjë me Mark, me të cilin kishte një lidhje njëvjeçare që e kishte ndërprerë.

Por ata flisnin ende me njëri-tjetrin. Dentisti Giovanni Spanò, i cili po i trajtonte të dy, tha se “ajo nuk ishte parë për një kohë, ndërsa unë e takova të hënën e kaluar: e buzëqeshur dhe e sjellshme, si gjithmonë”.   Por të hënën Ilaria ishte tashmë e vdekur, trupi i saj i fshehur në luginë.

Një rrëfim plot hije

Zhurma në rrjetet sociale filloi të shtunën e kaluar, pasi prindërit e raportuan atë të zhdukur. Mark gjithashtu dukej i shqetësuar, një tjetër inskenim. Në fund, ato mesazhe false zgjuan dyshimet e detektivëve që para dy ditësh shkuan për të pyetur 23-vjeçarin.

Ai u dorëzua disa orë më vonë. Gjatë natës u gjet trupi nga zjarrfikësit, më pas tha se i kishte hedhur celularin Ilarias në një pusetë dhe thikën në një kazan. Por ka ende hije mbi historinë e tij.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë