Në prag të ndeshjes së fundit për Uefa Nations League me Skocinë një pjesë e mirë e futbollistëve shqiptarë që luajnë në kampionatet e huaja kanë bërë paraqitje shumë pozitive. Duke filluar që nga porta, mbrojtja edhe deri në sulm një pjesë e lojtarëve kuqezinj kanë pasur minuta në këmbët e tyre. Pa dyshim ata që kanë shkëlqyer më shumë këtë fundjavë janë Berat Gjimshiti me Atalantën e tij dhe Eros Grezda në Skoci me Renixhers.
Sulmuesi gjakovar pas një nisje të ngadaltë dhe përshtatjes në kampionatin skocez këtë të diele ka shpërthyer. Dy gola, asisit dhe një lojë prej “top player”, Grezda i ka mahnitur të gjithë në Skoci, duke qënë një motiv më shumë për të festuar pas triumfit spektakolar 7-1 të Reinxhers. Sulmuesi kuqezi pasi hodhi pas krahëve periudhën e dëmtimit këtë të diele zbriti në fushë që nga minuta e parë dhe trajneri Zherard nuk u pendua, pasi gjakovari ia shpërbleu në mënyrën më të mirë të mundshme. Tashmë që ka gjetur formën më të mirë në kampionatin skocez mbetet për t’u shpresuar se Grezda do të ketë të njëjtën formë edhe me kombëtaren në sfidën e fundit për Uefa Nations League pikërisht përballë Skocisë.
Të dy lojtarët e ekipit përfaqësues që aktivizohen me Atalantën, Berisha dhe Gjimshiti kanë dalë në fushën e lojës që nga minuta e parë në sfidën kundër Inter. Mbrojtësi Gjimshiti ka bërë një paraqitje shumë pozitive. Gjatë gjithë ndeshjes ai ishte një mur i pakalueshëm për sulmuesin kryesor të Inter, Mauro Ikardi. Por sikur mos të mjaftonte kjo paraqitje në repartin difensiv, Gjimshiti e kurorëzoi këtë të diele perfekte të tij edhe me një gol. Futbollisti kuqezi shënoi golin e tretë për Atalantën, duke siguruar fitoren për ekipin e tij dhe njëkohësisht i jep një sinjal pozitiv trajnerit Panuçi në prag të ndeshjeve të ardhshme.
Këtë fundjavë Panuçi nuk ka marrë lajme të mira vetëm nga Gjimshiti, por edhe nga disa lojtarë të repartit difensiv. Hysaj është rikthyer titullar me Napolin dhe luajti një ndeshje me ritëm të kënaqshëm në fitoren që të kaltrit arritën përballë Xhenovës. Arlind Ajeti ishte titullar për 90 minuta me skuadrën e tij Grafshopers. Edhe Lenjani ishte për 90 minuta në fushë me Sion.

Paraqitje shumë të mira kanë bërë këtë diele me ekipet e tyre edhe dy talentet e ekipit kombëtar, Giacomo Vrioni dhe Emanuele Ndoj. Të dy janë futur nga stoli në ndeshje, por duke treguar një nivel të kënaqshëm.
I vetmi që mund të vlerësohet me notë negative është portieri Etrit Berisha. Gardiani numër dy i portës së kombëtares sonë në rastin e vetëm që porta e tij u rrezikua nuk arriti dot të ishte në lartësinë e duhur, duke gabuar dhe i dhënë mundësinë Inter që të barazonte përkohësisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




