1 shtatori edhe këtë vit i ka gjetur mësimdhënësit në Kosovë në greva, kurse nxënësit jashtë bankave shkollore.
Në ditën kur do të duhej të nisë viti shkollor dhe nxënësit të jenë në shkolla është krijuar paqartësi. Shumë shkolla sot nëpër qytetet e Kosovës nuk janë hapur fare.
Ministria e Arsimit në një deklaratë për media, të mërkurën theksoi se më 1 shtator, fillon viti i ri shkollor për të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë në Republikën e Kosovës.
MASHTI thekson më tej se përkundur faktit se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura, fillimi i suksesshëm i vitit shkollor vihet në pikëpyetje për shkak të grevës së deklaruar nga BSPK-ja(Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës) dhe SBASHK-u(Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë).
Më tej në komunikatë thuhet se “duke marrë parasysh gjendjen në terren, ftojmë prindërit dhe nxënësit që të komunikojnë drejtpërdrejt me mësuesit klasorë, kujdestarët e klasave dhe menaxhmentin e shkollës për të kuptuar nëse do të organizohet procesi mësimor dhe sipas cilit orar”.
“Kryetari i SBASHK-ut dhe askush tjetër përveç autoriteteve qendrore dhe lokale të përcaktuara me legjislacion, nuk ka të drejtë të shpallë mbylljen e shkollave për çfarëdo arsye, as t’i pengojë të punojnë ata që duan të punojnë. Presionet e tilla janë të papranueshme dhe të dënueshme. Ndërkaq, spekulimet se, me ardhje në shkollë, mund të cenohet siguria e fëmijëve nuk kanë asnjë bazë”, thuhet në reagim.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka ripërsëritur se greva nuk do të ndalet derisa qeveria t’ua bëjë një zgjidhje.
Jasharaj më tej njoftoi se e kanë përgatitur dhe dorëzuar në prokurori kallëzimin penal ndaj ministrit Muratit, për deklaratat se grevistët s’do të marrin paga.
Ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se autoritetet kompetente kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.
“Janë procesuar vetëm pagat për organizatat buxhetore (siç janë komunat) që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave”, ka thënë Murati në një konferencë për media.
Murati ka thënë se nuk është kërkuar lista e punëtorëve që kanë qenë në grevë.
Murati ka thënë se përditësimi i listave ka qenë i nevojshëm, sepse në bazë të informatave në terren shumë mësimdhënës nuk janë në grevë, duke kundërshtuar kështu deklarimet e SBASHK-ut se të gjithë anëtarët e saj janë në grevë.
Ai ka thënë se ky përditësim i listës së pagave është i nevojshëm pas grevës që kanë nisur BSPK dhe SBASHK më 25 gusht.
Nga ajo ditë, në grevë janë mësimdhënës, edukatorë në kopshtet publike, shërbyes civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




