Ngjarje

Greva e punonjësve, anulohen fluturimet me Greqinë

Nga Gazeta ‘SI’ – Të gjitha fluturimet drejt Greqisë dhe anasjelltas do të anulohen sot.

Ky informacion vjen nga Aviacioni Civil, i cili thotë se shkak për anulimin është greva 24-orëshe e paralajmëruar nga Shërbimi Civil në Greqi

ACAA këshillon të gjithë pasagjerët të kontaktojnë kompanitë ajrore përkatëse për më shumë informacion.

“Për shkak të grevës 24-orëshe të shërbimit civil në Greqi, të gjitha fluturimet drejt dhe nga aeroportet greke për datën 9 prill janë anuluar. ACAA këshillon të gjithë pasagjerët të kontaktojnë kompanitë ajrore përkatëse për më shumë informacion”, thuhet në njoftimin e Aviacionit Civil.

Greqia është paralizuar sot prej një greve të përgjithshme mbarëkombëtare 24 orëshe që kanë thirrur Konfederata e Përgjithshme e Sektorit privat (GSEE) dhe ajo e administratës shtetërore (ADEDY).

Kërkesat kryesore të sindikatave janë kundër shtrenjtësisë, inflacionit, krizës së strehimit, duke kërkuar ndër të tjera rritjen e pagave , rikthimin e pagës së 13 dhe 14 dhe të kontratës kolektive të punës .

Në Athinë, Selanik dhe qytetet e mëdha të vendit fillojnë pas pak mitingjet e marshimet e protestave.

Në veçanti, Sindikata e Sektorit Privat, GSEE, që ka bërë thirrje masive për pjesëmarrje në grevë pretendon se paga minimale nuk duhet të përcaktohet me vendime të qeverisë, por me marrëveshje kolektive të lira. Kërkon gjithashtu Marrëveshjen Kolektive të Punës dhe politika energjetike për të luftuar shtrenjtësinë dhe krizën e strehimit.

Ndërsa në kërkesat kryesore e Federatës së Administratës shtetërore, ADEDY, përveç krizës së çmimeve dhe shtrenjtësisë së qirave të banesave, theksohet se është tashmë më se e nevojshme rritja reale e pagave në Sektorin Publik dhe se qeveria duhet të rikthejë pagën e 13 dhe 14.

Në deklaratën për shtyp sindikatat kërkojnë masa shëndetësore dhe sigurie në punë, regjistrimi dhe publikimin e të dhënave për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, masa ndaj ngacmimeve dhe dhunës seksuale në punë, sistem të drejtë të taksave dhe lehtësime për punonjësit dhe pensionistët.

Në grevën e sotme marrin pjesë edhe punonjësit e transportit publik. Anijet do të qëndrojnë të ankoruar në porte, janë anuluar thuajse të gjitha fluturimet nga aeroportet e vendit për shkak të grevës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror,përveç atyre të nevojave të jashtëzakonshme.

Gjithashtu në grevë përveç mësuesve dhe pedagogëve, marrin pjesë studentët duke protestuar ndër të tjera për nivelin e arsimit, pasigurinë e tarifave të shkollave dhe duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj universiteteve private. Pa dyshim që në qendër të mitingjeve të sotme është edhe kërkesa për drejtësi sa i përket aksidentit të trenave në luginën e Tempit dy vjet më parë.

Edhe në Itali do të ketë pengesa. Stjuardesat e EasyJet të lidhura me sindikatat italiane (FILT, CGIL dhe UIL) janë planifikuar të bëjnë grevë më 9 prill nga ora 10.30 deri në orën 14.30 CET. Veprimi industrial pritet të prekë disa fluturime drejt dhe nga aeroportet e Milanos dhe Napolit.

“Ne dëshirojmë të sigurojmë klientët se po bëjmë gjithçka që është e mundur për të minimizuar çdo ndërprerje si rezultat i aksionit të grevës dhe nëse ndonjë fluturim do të ndikohet, ne do të kontaktojmë drejtpërdrejt klientët me opsionet e tyre për të ndihmuar në riorganizimin e planeve të tyre”, tha linja ajrore për gazetën britanike The Independent.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë