Fluturojnë obligacionet, ankandi i parë në një dekadë pas krizës

Jo një, por dy vlerësime. Moody’s në mënyrë të beftë të premten në mbrëmje ka ngritur me dy nivele vlerësimin mbi aftësinë paguese të shtetit grek, duke e zhvendosur nga B3 në B1. Të hënën në mëngjes tregu ka festuar lajmin, duke rritur titujt shtetërorë, me të ardhurat në minimum në 13 vite. Aq sa Thesari shpalli ankandin e parë mbi obligacionet 10-vjeçare që nga viti 2010, gjë që mund të ndodhë që në fillim të javës.
Shkalla e klasifikimit të investimeve – emblema e denjë e kredisë – mbetet katër hapa larg, por nuk ka dyshim se kërcimi i dyfishtë përpara është një nxitje e besimit për një vend që po përpiqet të kthehet në tregjet ndërkombëtare të kapitalit.
Është vlerësimi i parë i Moody’s për Greqinë në më shumë se një vit. Fitch e vlerësoi gushtin e kaluar me BB- (3 nivele nën gategorinë e investimit), ndërsa Standard & poors’ e klasifikon B+ (4 nivele nën).
Por ajo çfarë e ka bërë të qesh kryeministrin Tsipras janë vlerësimet e shprehura nga agjencia amerikane. “Programi i reformave ngjan vendosmërisht i rrënjosur dhe masat e ndërmarra kanë nisur të japin frutet e para”, shkruan Moody’s, duke shtuar: “Rezultatet e bilancit janë tashmë të konsoliduara dhe duhet të ruhen, ndërsa pjesa më e madhe e përmirësimit të shitjeve i dedikohet masave strukturore”.
Në vlerësim citohet se pas gushtit të kaluar, Greqia ka dalë prej programit të ndihmës BE-FMN, duke arritur në finishin e një qëllimi jo vetëm simbolik. Objektivi i qeverisë është që të kthehet rregullisht në tregun financiar.
Një tentativë e parë shkoi mirë në janarin e kaluar me një ankand pesëvjeçar të bonove qeveritare që arriti 2.5 miliardë euro me një kërkesë katër herë më të lartë; Të hënën në mëngjes, Thesari njoftoi një emetim të obligacioneve 10-vjeçare, i pari që nga viti 2010 (ishte pjesë e një operacioni të tregtimit të obligacioneve).
E ardhmja duke inkurajuesei: rendimenti mbi titujt 10-vjeçar, pas vendimit të Moody’s, të hënën në mëngjes ra për disa orë deri në 3,60%, niveli më i ulët nga janari i 2006-ës, mandej u mbyll me 3,68%.
“Masat më të dhimbshme nga pikëpamja politike – vazhdon Moody’s – janë jetësuar tashmë,me eknominë që më në fund po tregon sinjale përmirësimi, duke reduktuar incentivat për çdo qeveri të ardhshme për të vënë në rrezik fitimet e mbledhura me vështirësi “. Grekët thirren për të votuar për zgjedhjet parlamentare në tetor dhe sondazhet e shohin partinë konservatore të Nea Dimokratia në krye me 36% përpara Syriza të Tsipras me 25 përqind.
Vështirësia e krizës ekonomike që zgjati për një dekadë mbetet e paprekur, me një PBB në rënie 27% krahasuar me nivelet e para-recesionit dhe një normë papunësie prej 18.5%. Sidoqoftë, ekzistojnë shenja të besimit në tregun e punës – papunësia në kulmin e krizës në vitin 2013 arriti në 27.5% – dhe gjithashtu në ekonominë reale, me një rritje të PPB-së prej rreth 2% të nxitur nga bumi në turizmit dhe industrive të ngjashme.
“Ekonomia greke – vëren Moody’s është zgjeruar më shumë në vitet e fundit, me eksportet që zënë 37% të PBB-së, krahasuar me 22% në vitin 2010. Konkurrenca është përmirësuar në masë të madhe, në sajë të një reduktimi të ndjeshëm në koston e punës dhe eksportit të mallrave dhe shërbimeve që u përshpejtua ndjeshëm në vitin 2018. Reformat e tregut të punës kanë filluar të pasqyrohen në rritjen e fuqishme të punësimit “.
Moody’s nënvizon pozitivisht edhe performancën dhe bilancin e Greqisë, me një tepricë primare (dmth pa llogaritur interesin mbi borxhin) prej 4% gjatë dy viteve të fundit. Megjithatë, një tepricë u sigurua me kursime dhe shkurtime në investime që kanë ngadalësuar rimëkëmbjen e ekonomisë. Borxhi publik, pavarësisht incentivave, mbetet mbi 180 për qind të PBB-së, sipas Komisionit të BE-së, megjithatë, pas kulmit të arritur në vitin 2018, tani duhet të nisë një trajektore rënëse e cila pritet të arrijë në 167% në vitin 2020.
Për të lehtësuar shtresat në nevojë, qeveria Tsipras rriti me 11% pagën minimale me ligj, rritje e cila, megjithatë, sipas Moody “do të dëmtojë konkurrencën” e ekonomisë greke.
*Burimi: Il sole 24 ore
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




