Treg

Greqia thirrje Brukselit: Sulmet ruse po kërcënojnë tregun energjetik të Europës

Greqia ka njoftuar se sulmet ruse në infrastrukturën ukrainase gjatë kësaj vere, dyfishuan çmimin e energjisë për Europën jug-lindore, duke theksuar kështu dobësinë e tregjeve europiane të energjisë.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, i bëri thirrje Brukselit që të trajtojë urgjentisht një “krizë të zgjatur” të kapaciteteve që i ka çuar çmimet në nivele kaq ekstreme saqë kërkon një “përgjigje politike” urgjente.

Në një letër drejtuar Komisionit Europian, Mitsotakis thotë se çmimet e elektricitetit në gusht u rritën nga 60 në 90 euro për MWh. Ai i kërkoi Ursula von der Leyen që mandatin e saj të dytë në komision ta shfrytëzojë për të rritur kapacitetet ndërlidhëse, që të shmangen telashe të tilla në të ardhmen.

Mitsotakis tha se përveç vapës dhe thatësirës, një faktor me rëndësi ka qenë Rusia me sulmet e saj ndaj rrjetit ukrainas. Kievi ka qenë një eksportues i fortë i energjisë, por këtë vit ajo nisi ta importojë nga fqinjët. 

“Kjo është një ndër shumë kostot që Rusia ka shtuar në ekonomitë tona” shkroi lideri grek. Ai tha se duhet dhe më shumë transparencë në tregun e energjisë, pasi duket sikur ka një krizë dhe askush nuk po e tregon.

Ish-kryeministri italian dhe ish-drejtuesi i Bankës Europiane, Mario Draghi, në një raport të kësaj jave dërguar Brukselit theksoi se çmimet e energjisë në Europë ishin 2 a 3 herë më të larta se në SHBA. 

Pas analizës së Draghit, von der Leyen deklaroi se rrjetet ndërkombëtare të energjisë janë pjesë e planeve “jetësore” që ka BE.

Komisioni ka vlerësuar më parë se 584 miliardë euro investime në rrjetet e energjisë elektrike nevojiten deri në vitin 2030 nëse blloku dëshiron të përmbushë qëllimet ambicioze klimatike. Ai ka vendosur gjithashtu një objektiv për vendet anëtare të BE-së që të kenë kabllo të energjisë elektrike që lejojnë 15% të prodhimit të tyre të energjisë elektrike të jenë të disponueshme për vendet fqinje në të njëjtën periudhë kohore. Mitsotakis, i cili rrjedh nga e njëjta familje politike europiane e qendrës së djathtë si von der Leyen, EPP, gjithashtu e vuri në dukje problemin në një fjalim javën e kaluar në Selanik, gjatë një konference për shtyp në të cilën ai nënvizoi çështjet e vazhdueshme të rajonit me çmimet e larta të energjisë elektrike. "Ka një shtrembërim thelbësor në tregun e energjisë në Europën Juglindore," tha Mitsotakis. “Diçka nuk po funksionon siç duhet. Nuk pres zgjidhje të menjëhershme, por të paktën le të merret dikush me të.”/FinancialTimes


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë