Ngjarje

Greqia sjell në Shqipëri 52 kg luleshtrydhe me pesticide, të gjitha rezultojnë të shitura

Nga Gazeta Si- “Grupit” të produkteve me pesticide që konsumojnë shqiptarët u janë shtuar dhe luleshtrydhet. 

Pas mandarinave e specave me pesticide dhe filetos me salmonelë, rezulton se në vendin tonë kanë hyrë dhe 52 kg luleshtrydhe me pesticide, të gjitha të shitura.

AKU njofton se një sasi luleshtrydhesh prej 52 kg, importuar nga Greqia janë futur në vendin tonë dhe në datën 17 shkurt 2025 janë dërguar mostrat për analizim laboratorik dhe pas daljes së rezultatit u angazhua nëpërmjet sistemit të gjurmueshmërisë për mbledhjen dhe tërheqjen nga tregu të kësaj sasie luleshtydhe. Në bazë të faturave të shitjes të paraqitura nga Operatori i Biznesit Ushqimor e gjithë sasia rezultonte e shitur.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë vlerësim të riskut për këtë produkt dhe e ka kategorizuar me risk të lartë.

Për këtë, është komunikuar me të gjitha Pikat e Inspektimit Kufitar, për mostrimin e 10 ngarkesave të njëpasnjëshme dhe bllokimin në kufi të cdo ngarkese me luleshtrydhe, deri në daljen e përgjigjes së analizave të çdo mostrimi për produktin që mund të vijojë të importohet nga Greqia.

“Në bazë të këtyre rezultateve do të përcaktohet nëse importet do të lejohen për tregtim brenda territorit shqiptar apo do të kthehen në vendin e origjinës”, thuhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë