Ndërkohë që Shqipëria po qëndron larg investimeve kineze, Greqia fqinje ka shtruar sot tapetin e kuq për Presidentin Kinez Xi Jinping.
Vizita e profilit të lartë, e cila po vëzhgohet me kujdes nga zyrtarët në Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, vjen ndërsa marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve po zgjerohen. Ajo vjen në një kohë kur Pekini e ka bërë të qartë se e sheh rajonin si derën e tij për hyrjen në pjesën tjetër të Kontinentit.
Javën e kaluar kryeministri grek, Qiriakos Mitsotaqis vizitoi Shangain për të marrë pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit dhe për të nxitur tregtinë mes dy vendeve. Ndryshe nga vitit i kaluar, Shqipëria nuk kishte dërguar këtë vit asnjë zyrtar apo biznes në këtë forum. Por për Greqinë, ekspozita në Shangai duket të ketë qënë një ogur i mirë për thithjen e investimeve kineze.
"Vizita ime e fundit në Shanghai dhe e juaja sot është përurimi i një epoke të re në marrëdhëniet tona," i tha Mitsotaqis presidentit Xi gjatë një konference për shtyp në Athinë. " Kjo vizitë shëno nnjë moment historik për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona bilaterale," shtoi Mitsotaqis. "Rruga që ne hapim do të bëhet së shpejti një bulevard."
Xi u përgjigj duke thënë se Kina është e angazhuar për fuqizimin e marrëdhënieve ekonomike.
"Ne duam që tregtia të vazhdojë dhe të zgjerohet, ashtu si dhe investimet në sektorët e energjisë, transportit dhe bankave," shtoi ai. Gjatë udhëtimit të tij në Greqi, Xi viziton portin më të madh të vendit fqin, atë të Pireut, i kontrolluar nga kompania shtetërore kineze “Cosco”. Po ashtu si do të inaugurojë hapjen e degës së parë të Bankës së Kinës në Greqi.
Greqia dhe Kina nënshkruan në Shangai 16 marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në sektorë që fillojnë nga transporti, investimet dhe produktet agroushqimore, deri te parandalimi i krimit dhe kultura.
Kina ka investuar shumë në Greqinë e goditur nga borxhet gjatë krizës dhjetëvjeçare ekonomike të vendit fqinj, me qëllim që ta kthejë në një qendër të eksporteve kineze. Athina ka falenderuar në mënyrë aktive Pekinin pasi kompanitë nga vendet e tjera perëndimore u larguan nga Greqia, gjatë kohës së krizëz, por kompanitë kineze qëndruan.
"Unë shpreha mirënjohjen për mbështetjen e Kinës kur Greqia u godit nga kriza financiare," tha Mitsotakis. "Tani që ekonomia e vendit tonë po rritet, them se Kina duhet të marrë një rol udhëheqës dhe t'i zgjerojmë qëllimet tona të përbashkëta."
"Grekët treguan forcë të madhe, ata punuan shumë," tha presidenti kinez.
Në vitin 2016, “Cosco”, kompania shtetërore e transportit detar të Kinës, siguroi shumicën e aksioneve në portin më të madh të Greqisë, duke e bërë Pireun "kokën e dragoit" të projektit të saj të infrastrukturës globale të njohur si Nisma “Një Rrip Një Rrugë”. Gjatë të njëjtit vit, kompania “China State Grid” mori 24% të aksioneve në rrjetin grek të energjisë.
Një vit më vonë, qeveria e mëparshme e Greqisë vuri veton ndaj rezolute të BE-së që e dënonte Kinën për shkeljen e të drejtave të njeriut. “Cosco” e përdor tashmë Pireun, portin e dytë më të madh në Mesdhe pas Valencias, si një qendër për anijet me kontejnerë aziatikë që udhëtojnë përmes Kanalit të Suezit për në Europa.
Prania e Kinës në Greqi dhe në rajonin e gjerë të Ballkanit nuk i ka shpëtuar vëmendjes së Brukselit dhe Uashingtoni. Gjatë një vizite të fundit në Athinë, Sekretari Amerikan i Shtetit i Mike Pompeo ngrit vazhdimisht shqetësime për ndikimin në rritje të Kinës në Europë. BE gjithashtu ka bërë thirrje për mekanizma më të rreptë kontrolli për të parandaluar kompanitë kineze të investojnë në industri strategjike.
Me nisjen e iniciativës “Një Brez, Një Rrugë”, Kina është bërë një lojtar i fuqishëm në Ballkan. Në vitin 2014 Kina caktoi një fond investimesh prej 3 miliardë dollarësh veçmas për rajonin e Ballkanit. Ndërkohë që po bëhet gati të ndërtojë një rrjet të madh infrastrukturor përmes Eurazisë, vendet e Ballkanit kanë një pasuri të vlefshme për t’i ofruar Kinës: gjeografinë e tyre. Kina e sheh Ballkanin si një port të çmuar midis Mesdheut dhe Europës Qendrore dhe si një urë gjeopolitike midis botës perëndimore dhe Euroazisë.
Në frontin ekonomik, hyrja dinamike e Kinës në rajon filloi me hyrjen e Cosco-s në portin e Pireut, për t’u përhapur më pas në gjithë rajonin. Vitin e kaluar kompaniz kineze hyri edhe në Bosnjë dhe planifikon të zgjerohet edhe në portet e tjerë të Ballkanit.
Pasi grupi COSCO bleu 51 për qind të aksioneve në portin e Pireut, banka shtetërore kineze “Exim Bank” ka dhënë hua për ndërtimin e dy autostradave në Maqedoni. . Në Malin e Zi, banka Exim financon përmirësimin e autostradës që lidh qytetin e Banit me Serbinë, pavarësisht paralajmërimeve nga Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar se projekti rrezikoi stabilitetin fiskal të vendit të vogël ballkanik.
Po Shqipëria?
Duke qenë se e percepton vendin tonë si pjesë të “rrugës së re të mëndafshit” Kina ka bërë investime të ngjashme edhe në Shqipëri. Ambasada kineze në vendin tonë i ka ofruar Bashkisë së Cërrikut dhjetëra makineri bujqësore, të cilat pritet të mbërrijnë para 2019-ës dhe është shprehur e gatshme të hapë rrugën për importimin një pjesë të mirë të produkteve bujqësore dhe industriale të vendit tone.
Tani për tani, Kina është bërë një partner i vlefshëm tregtar për Shqipërinë, pasi një sërë kompanish si Geo-Jade Petroleum kanë gjetur një territor mjaft pjellor investimesh. Kompania me bazë në Shangai bleu të drejtat e kontrollit të dy fushave të naftës në Patos-Marinzë, për 442.3 milionë dollarë. Në vitin 2016, një tjetër kompani mori me koncesion për dhjetë vitet e ardhshme Aeroportin Nënë Tereza. Po atë vit, Kina u bë partneri i dytë më i madh tregtar për Shqipërinë. Sipas “Santander Bank”, investimet e huaja direkte në Shqipëri tani përbëjnë 50% të PBB-së së vendit tonë.
Së fundmi, ish-Ambasadorja Kineze në Shqipëri i ka bërë thirrje Tiranës zyrtare të bëhet pjesë e projektit gjigand infrastrukturor “Një Rrip një Rrugë”. Duke bërë një bilanc të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Pekinit dhe Tiranës, ambasadorja Yu theksoi se të dyja palët kanë nënshkruar gjithsej 28 dokumente bashkëpunimi që mbulojnë 17 fusha, ndërsa investimet kineze në Shqipëri janë rritur me 40 herë. “Nga 20 milion dollarë amerikanë në vitin 2014, tanimë investimet kineze kanë arritur më shumë se 800 milion dollarë amerikanë, duke e bërë Kinën burimin kryesor të investimeve të huaja në Shqipëri”,deklaroi ajo.
Në intervistën e fundit përpara se të largohej Shqipëria në fund të mandatit të saj në vendit tonë, Jiang Yu deklaroi se Kina mbetet gjithmonë një mike e sinqertë dhe një partnere e besueshme e Shqipërisë. “Zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve kinezo-shqiptare është në interes të përbashkëta të të dyja vendeve tona dhe njerëzve”, tha ambasadorja kineze.
Por qasja e Kinës në Shqipëri dhe rajon është e ndryshme nga ato të lojtarëve të tjerë të përfshirë. Kina nuk ka ndërmend të angazhohet për ndërtimin e unioni ambicioz të ngjashëm me Bashkimin Europian, nuk dëshiron të ketë një prani ushtarake siç kanë Shtetet e Bashkuara përmes NATO-s dhe ndryshe nga Rusia ajo nuk dëshiron të veprojë si një fuqi që rrezikon stabilitetin e vendeve të Ballkanit . Kina thjesht investime me interesa të ulëta, nëpërmjet bashkëpunimit pragmatik dypalësh dhe duke riparuar infrastrukturën e shkatërruar të vendeve të Ballkanit. Në këtë mënyrë, Kina blen njëkohësisht pushtet politik brenda kryeqyteteve të Ballkanit, ndërkohë që kohë shtyn përpara iniciativën “Një rrip një rrugë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.