Gazeta Si – Pas më shumë se një mijë lëkundjeve sizmike – më të forta të mërkurën në mbrëmje me magnitudë 5.2 ballë – që nga fillimi i valës së tërmeteve më 27 janar, autoritetet greke kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në ishullin Santorini.
Ministria greke e Mbrojtjes Civile e mori këtë vendim për “të adresuar nevojat emergjente dhe të menaxhojë pasojat e aktivitetit sizmik që po prek arkipelagun e Cyclades”.
Përkundër faktit se në gjirin përballë Santorinit ka vullkanin Nea Kameni dhe vullkanin nënujor Kolumbo 8 kilometra në veri-lindje, kriza aktuale sizmike është e lidhur me sistemin e pllakave të pranishme midis Santorinit dhe ishullit të afërt të Amorgos. Gjendja e jashtëzakonshme do të qëndrojë në fuqi deri më 1 mars.
Rreziku i rrëshqitjeve të dheut
Lëkundjet e vazhdueshme po rrisin rrezikun e rënies së shkëmbinjve: për këtë arsye banorët janë ftuar të qëndrojnë larg zonave të rrezikuara nga rrëshqitja e dheut.
Një rrezik i cili – sipas presidentit të Shoqatës Helenike për Parandalimin e Fatkeqësive, Efthymios Lekkas – është më i madh në portin e vjetër të Firës, portin e Athinios, rrjetin rrugor të Ormos, zonat Ammoudi dhe Armeni në Oia, vendbanimin Korfos dhe zonën e Monopati në Thirasia.
“Përforcime të zjarrfikësve, policisë, rojës bregdetare, forcave të armatosura dhe shërbimeve mjekësore të emergjencës janë dërguar tashmë në Santorini dhe ishujt përreth me personel shtesë dhe pajisje të specializuara”, tha zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis.
Mijëra janë larguar nga ishulli
Mijëra turistë dhe punëtorë sezonalë janë larguar tashmë nga Santorini me avionë dhe tragete të shtuara në plan.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis dhe Ministri për Mbrojtjen Civile Vasilis Kikilias përsëritën apelin për qetësi, duke shpjeguar, së bashku me shkencëtarët, kompleksitetin e fenomenit gjeologjik dhe shërbimet e emergjencës tashmë të vendosura.
Ingv: Evolucion i pasigurt
Sipas INGV (Instituti Kombëtar i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë) zona në fjalë është sizmikisht ndër më aktivet në harkun vullkanik helen.
Evolucioni i grupit aktual sizmik “është megjithatë i pasigurt”, thuhet në një shënim nga INGV.
Rritja progresive e magnitudës dhe numri i lartë i ngjarjeve sizmike sugjerojnë mundësinë e përfshirjes së lëngjeve në kore.
Valë të ngjashme sizmike janë vërejtur në rajon në të kaluarën, disa prej të cilave u shuan pa shkaktuar ngjarje me magnitudë më të madhe, ndërsa të tjerët u paraprinë tërmeteve më të forta.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




