Pas disa muajsh izolimi të pjesshëm, Greqia do të dalë nga karantina duke filluar nga java e ardhshme. Vendi fqinj do të heqë masat kufizuese për udhëtarët nga BE dhe pesë vende të tjera, përfshirë Serbinë, por jo Shqipërinë.
Me nisjen e vaksinimit masiv dhe me fillimin e sezonit turistik, shumë shqiptarë shpresojnë të udhëtojnë sërish drejt Greqisë, qoftë për në kërkim të vendeve të reja të punës, qoftë për pushime, por me rregullat në fuqi, kufijtë e vendit fqinj për udhëtarët shqiptarë do të vazhdojnë të jenë të mbyllur.
Ndërkohë, kufijtë me Serbinë do të hapen duke filluar nga java e ardhshme, falë një marrëveshje të lidhur mes dy vendeve disa javë më parë. Greqia, e cila po përpiqet të shpëtojë sezonin turistik, ka lidhur një sërë marrëveshjesh me vende si Izraeli, Britania, Emiratet Arabe, SHBA dhe Serbia, për të pranuar turistët e huaj vetëm me certifikatë vaksinimi dhe një tampon negativ. Së fundmi autoritetet greke njoftuan se do të pranojnë të gjitha certifikatat e vaksinimit të lëshuara nga Serbia, madje edhe për dozat e vaksinave që nuk janë miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA), të tilla si vaksinat ruse dhe kineze.
Lajmi u bë me dije nga ministri grek i Turizmit gjatë një vizite në Beograd ku u takua me homologen e tij dhe pikë kyçe e bisedimit ishte mënyra e lehtësimit të udhëtimit midis dy vendeve për sezonin e ardhshëm të verës. Ata diskutuan mundësinë e pranimit të turistëve serbë, të cilët mund të paraqisnin një dokument që vërteton se ata kanë një test negativ PCR ose e kanë kaluar virusin dhe kanë krijuar antitrupa.
Gazeta Si u interesua pranë ministrisë së Jashtme nëse Shqipëria po negocion me vendet fqinje për lëvizjen e qytetarëve, por mësoi se kjo është lënë në dorë të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila nuk i është përgjigjur Gazetës Si.
Sipas vendimit të fundit, Greqia ka mbyllur kufijtë tokësorë deri më 19 prill, duke ndaluar kështu hyrjen e shqiptarëve nga Kapshtica. Kufijtë e Greqisë janë mbyllur për më shumë se një vit për shtetasit e vendeve të treta, mes të cilave edhe për shqiptarët. Vendimi është vendosur vitin e kaluar, gjatë karantinës së parë në mars dhe prej atëherë zgjatet çdo dy javë.
Vendkalimi kufitar i Kakavijës me Shqipërinë punon nga ora 07.00 deri në orën 19:00 dhe lejohet hyrja e vetëm disa kategorive të caktuara, me test negativ ose me test të shpejtë të bërë nga autoritetet greke. Nga kjo pikë kufitare nuk lejohet kalimi i më shumë se 400 personave në ditë, të cilët janë të detyruar të qendrojnë në karantinë 14 ditë.
Po ashtu Greqia po lejon hyrjen e shqiptarëve për arsye absolutisht të domosdoshme profesionale ose mjekësore, për të cilat kanë edhe vërtetimet e nevojshme, për kamionët transportues, si dhe për tranzit të automjeteve të cilët i takojnë personelit diplomatik, ushtarak ose administrativ të vendeve anëtare të BE-së.
Po ashtu, Greqia ka ndalur edhe udhëtimin me avionë drejt vendit fqinj, edhe pse para disa ditësh njoftoi se do të lejonte udhëtimet ajrore nga vendet e treta. Të vetmit që mund të udhëtojnë me avion drejt vendit fqinj janë rezidentët, personeli mjekësor, diplomatët dhe punëtorë sezonalë bujqësorë.
Qeveria greke caktoi 14 majin, si datën e mundshme për fillim të sezonit turistik, duke theksuar se për udhëtim në Greqi do të nevojitet ose certifikatë për vaksinim ose test negativ ose konfirmim për Covid -19 të kaluar. Ajo ka thënë se do të hapë në këtë datë kufijtë me Maqedoninë por nuk ka ende detaje se kur do të hapen me Shqipërinë.
Qytetarët nga Bashkimi Europian, SHBA-ja, Britania, Serbia, Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe do të lejohen të udhëtojnë në Greqi përmes aeroporteve të Athinës, Selanikut, Heraklion, Chania, Rodos, Kos, Mykonos, Santorini dhe Korfuzi dhe dy vendkalime kufitare.
Pasagjerët nga ato vende nuk do të jenë në karantinë, për sa kohë që ata vërtetojnë se kanë marrë dy doza të një vaksine kundër Covid-19 ose tregojnë një test negativ PCR.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.