Ka ndodhur

Greqia ndryshon procedurat në kufi, testimi më pas verifikimi i pasaportave

Greqia do të ndryshojë procedurat e kontrolleve dhe të kalimit në pikat kufitare tokësore me Shqipërinë. Ndryshimet janë të vogla dhe nuk cenojnë kategoritë e personave që lejohen të hyjnë në territorin grek.

Mediat greke citojnë zv.ministrin e Mbrojtjes së Qytetarit, Nikos Hardalia që ka sqaruar ndryshimet në fjalë. Ai ka thënë se procedura që ndryshon është ajo e testimit, pastaj verifikimit të mjeteve të identifikimit të qytetarëve, ndërkohë që deri më tani ishte e kundërta, pra fillimisht verifikoheshin pasaportat dhe më pas testoheshin personat.

Me këtë vendim, ministria greke e Mbrojtjes së Qytetarit thotë se synon që të mbrojë nga Covid personelin doganor, sidomos në kufirin me Shqipërinë, ku këto ditë ka një fluks të madh hyrje-daljesh për shkak të festave.

Ndërkohë, sa i takon listës së personave që lejohet të lëvizin ajo nuk ndryshon, duke filluar me shtetasit grekë, shqiptarët me leje qëndrimi në Greqi, minoritarët, trupi diplomatik dhe rastet e urgjencave mjekësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë