Analize

Greqia e paaftë përballë fatkeqësive si zjarret

Zjarret shkatërruese që përcëlluan Atikën duke lënë shumë të vdekur, të plagosur dhe të zhdukur, sollën edhe një herë në vëmendje një pyetje që mundon vazhdimisht qytetarët grekë: Përse vendi tyre është gjithmonë i papërgatitur për t'u përballur me fatkeqësitë natyrore? Duke kujtuar zjarret tragjike të Ilisë në vitin 2007, përmbytjet katastrofike në Mandra nëntorin e kaluar dhe shkatërrimin total së Atikës Lindore nga zjarret e tanishme, shumë qytetarë grekë kanë filluar të pyesin veten se ku është shteti për t’i mbrojtur!

Mati, një nga qytetet bregdetare më të bukura në Atikë, duket se është fshirë totalisht nga harta, pasi në zonë nuk ka mbetur asnjë ndërtesë e padëmtuar, apo një pemë e gjelbëruar. Qyteza u përcëllua nga flakët, ndërkohë që dhjetëra banorë u dogjën nga zjarri ose u mbytën në det. Shkatërrimi total i këtij qyteti piktoresk ka ekspozuar një prej vështirësive më të mëdha të Greqisë: Mungesën totale të planifikimit dhe masave parandaluese kundër fenomeneve natyrore.

Autoritetet të përgatitura për të evakuuar banorët

Sipas shumë raporteve të mediave greke, autoritetet nuk kishin hartuar një plan evakuimi për njerëzit që ishin bllokuar në flakë. Ekipet e emegjencës në përgjithësi, nuk i informojnë qytetarët se si të reagojnë në rast zjarri ose përmbytjeje. Në zonë nuk ka as tabela se ku ndodhen shtigjet evakuimit në rast zjarri. Prandaj, vendasit dhe pushuesit vendosën të shpëtonin veten.

Ashtu si në Shqipëri, as në shumicën e qyteteve greke nuk ka plan urbanistik. Kushdo mund të ndërtojë një shtëpi, pavarësisht se toka e tyre mund të ndodhet në një zonë të rrezikuar nga fatkeqësitë natyrore. Në shumë raste, mjafton t’i japin një ryshfet të vogël autoriteteve lokale dhe qytetarët grekë mund të ndërtojnë një shtëpizë në mes të pyllit ose afër plazhit. Ndërtimi pa kriter bën që autoritetet komunale ta kenë të pamundur të hartojnë një plan të duhur rrugor që do t'u jepte kohë të gjithë banorëve për t’u evakuuar. Në rastin e Matit, është autostrada kryesore “Marathonos”, ajo që ndan qytetin nga zona pyjore, ku janë ndërtuar po ashtu një sërë shtëpish. Megjithatë, rruga nuk ka mur rezistent që të parandalojë përhapjen e flakëve, të cilat dogjën dhjetëra makina, kaluan rrugën dhe përcëlluan më pas qytetin.

Si rezultat, kur flaka arriti në Mati, banorët e kishin të pamundur të evakuoheshin në rrugë tokësore. Pra, shpresa e tyre e vetme ishte nga deti. Shumica u dogjën për së gjalli duke u munduar të arrnin në ujë. Të tjerë u mbytën për shkak të dallgëve të forta dhe tymit. Autoritetet kompetente nuk ishin në gjendje t’u jepnin banorëve udhëzime për evakuimin. Ndërkohë që shumica e banorëve vërshuan drejt detit, agjencitë nuk ishin koordinuar ende me njëra-tjetrën për të ndalur katastrofën natyrore. Shembulli më i mirë ishte zjarri në Kineta, ku zjarrëfikëset arritën në kohë rekord për të sprapsur flakët. Megjithatë, ata nuk kishin asnjë plan se si do të furnizoheshin më ujë, pasi botet u zbrazën brenda pak minutash. Ata përfunduan duke u bllokuar në trafik, ndërkohë që flakët vazhdonin të përhapeshin.

Për fat të keq, askush nuk do të marrë përgjegjësi për paaftësinë e mekanizmave shtetërore për të parandaluar fatkeqësi të tilla ose për të menaxhuar fenomenet natyrore. E tillë ishte tragjedia e Mandres, ku në përmbytjet e nëntorit humbën jetën plot 22 persona. Kur qyteti u përmbyt përsëri në fillim të qershorit të kaluar, kryebashkiaku i qytetit tha se nuk ishte marrë qoftë edhe një masë kundër përmbytjeve, që nga tragjedia e nëntorit.

Greqia përcëllohet nga dhjetëra vatra zjarri pothuajse çdo verë dhe në shumicënn e rasteve, autoritetet kanë ndërhyrë në kohë rekord, për të zbrapsur flakët nga zonat e banuara. Por pavarësisht emergjencave të shumta dhe faktit se gjatë tre muajve të verës, rreziku i zjarrit është në maksimum, zjarrëfikësit grekë kanë paga jashtëzakonisht të ulëta, në krahasim me profesionet e tjera.

Pagat e ulëta të zjarrfikësve

Zjarrëfikësit  grekë luftojnë me flakët, në rajonin e Atikës

Ioannis Katsioulas, një nga zjarrëfikësit që rrezikoi jetën duke luftuar me zjarret në Atika, ka zbuluar nëpëmjet një postimi në Facebook se paguhet vetëm 652 euro në muaj. "Unë jap edhe frymën time të fundit nëse është e nevojshme," tha ai, duke ftuar çdo familje që kishte mbetur pa strehë për shkak të zjarreve, të qëndronte në shtëpinë e tij. Pasi pushtoi faqet e para të mediave greke, Katsioulas ka argumentuar se zjarrfikësit rrezikojnë jetën për të shpëtuar qytetarët nga flakët, por shpërblehen me paga qesharake.

Profesionistët e tjerë të emergjencave civile, si oficerët e policisë dhe stafi i ambulances, të cilët janë gjithmonë në krye të detyrës në rast tragjedie, marrin po ashtu paga të ngjashme. Ata janë ngritur shpeshherë në protesta, duke argumentuar se është e padrejtë që një person që rrezikon vazhdimisht jetën, të shpërblehet me kaq pak para. Qeveria nga ana tjetër, ka premtuar vazhdimisht rritjen e pagave, por duket se edhe kjo tragjedi e gjeti në të njëjtat kushte.

Qyteti i Matit pas zjarreve

Atika me e eskpozuara ndaj fatkeqësive natyrore

Ngjarjet në Atikën Lindore kanë zgjuar kujtimet e zjarreve vdekjeprurëse në Ilia të Peloponezit, ndërkohë që shumë zyrtare kanë ngritur paralele midis dy faktkeqësive natyrore. Në të dyja rastet, erërat e forta dhe pyjet e dendura në terren penguin përpjekjet e autoriteve për të vënë nën kontroll zjarret. Megjithatë, Atika ka qenë gjithmonë një nga rajonet më të ekspozuara ndaj rreziqeve natyrore, veçanërisht tërmeteve, përmbytjeve, valëve të nxehtësisë dhe zjarreve. Ekspozimi i lartë i Atikës dhe kryeqytetit të Athinës ndaj këtyre rreziqeve vjen për shkak të përqendrimit të lartë të popullsisë, aktiviteteve, infrastrukturës dhe ndërtimit pa kriter.

Atika është gjithashtu një nga rajonet greke me intensitetet më të larta makroizmike gjatë 50 viteve të fundit, madje tërmeti i vitit 1999 la më shumë se 140 viktima dhe 3 miliardë euro dëme. Politika shtetërore për parandalimin e rrezikut të tërmeteve bazohet pothuajse vetëm në ndërtimin e strukturave rezistente ndaj lëkundjeve, por ndërtesat që janë ndërtuar pa leje mbeten të ekspozuara si nga zjarret ashtu edhe tërmetet. Nuk janë të paktë ata që argumentojnë se kriza ekonomike dobësoi pothuajse të gjitha strategjitë për mbrojtjen ndaj rreziqeve natyrore. Organizatat dhe institucionet e rëndësishme të mbrojtjes civile dhe parandalimit të rrezikut janë në krizë pasi që po humbasin stafin, mbështetjen financiare, burimet teknike dhe për pasojë edhe aftësinë për t’u bërë ballë fatkeqësive natyrore.

Burimet: "Ekathimerini","Athens Voice","Greek Reporter"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë