Analize

Greqia digjet kaq lehtë dhe askush nuk dënohet

Nga Aleksandër Marku

“Brenda katër viteve në Greqi shpërthyen 60 mijë zjarre.Gjatë kësaj kohe, policia arrestoi më shumë se 4,000 vetë të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme. U dënuan në shkallën e parë 700. Në burg shkoi vetëm një. Çfarë shkoi gabim? Dhe kush janë ata që po djegin vendin”

Kur po lexoja këto rreshta kujtova se artikulli ishte i djeshëm apo i pardjeshëm, por për çudi ishte përkthimi i një shkrimi të botuar në revistën “Esquire” nga një gazetar i njohur grek.... 11 vjet më parë, në vitin 2007.

Pyetja se përse digjet vazhdimisht Greqia është kthyer tashmë në një pyetje retorike. Pavarësisht se sipas statistikave zjarret e 2007 me 77 të vdekur dhe këto tani, janë katastrofat më të mëdha të këtij lloji në Europën e 70 viteve të fundit.

Nuk kanë të mbaruar studimet shkencore të bëra mbi këtë temë, për zjarret dhe natyrën e tyre apo për zjarrvënësit dhe qëllimin e tyre. Sipas tyre, këta të fundit bëjnë pjesë në kategorinë e atyre njerëzve që paguhen nga persona që kanë qëllim të blejnë toka ndërtimi me çmime të ulëta, ose janë piromanë.

Më pas fillojnë teoritë e konspiracionit. Që fqinjët (Turqia në të shumtën e rasteve) duan destabilizimin, krijimin e panikut, terrorin, dobësinë ekonomike. Dhe jo vetëm ata. Edhe shtete të tjera të fuqishme, edhe superfuqi. Madje ka edhe nga ata “hyjnorët”, si mitropoliti i Kalavritës Amvrosios, që flet për “sinjale qiellore të Zotit, pasi Tsipras dhe ata që ka në kabinet, janë ateistë”.

Por në vetvete shumica e grekëve i dinë fare mirë shkaqet kryesore të kësaj amullie dhe për më tepër, politikanët, të cilëve u intereson ekzistenca e këtyre skenarëve. Vetë zjarret e fundit tregojnë se shkaku kryesor është patogjenia e shtetit grek dhe e drejtësisë.

Dhe vetë problemi është tek njerëzit dhe konceptet e tyre, që duhet të bëhen të vetëdijshëm për ata që zgjedhin të qeverisin vendin, apo edhe një bashki të vogël. Sepse për çdo gjë po provohet se shkaktari i fatkeqësive ekonomike, politike, akoma edhe atyre natyrore, është shteti klientelist grek.

Politikat e Mbrojtjes Civile

Të gjithë kemi parë në raste katastrofash në shtetet europiane si Franca, Italia, Portugalia e deri në SHBA, si funksionojnë politikat e Mbrojtjes Civile. Por në Greqi, sado të përpiqet dikush, është tepër vonë. Dhe a e dini se përse? Sepse ky sistem të kujton ato piramidat në rërë, pa themele, që me dallgën e parë rrëzohen.

Nuk është se nuk ka helikopterë dhe zjarrfikëse, nuk ka personel në shërbimin e brigadave zjarrfikëse, apo se ata marrin një rrogë të ulët. Shpeshherë kemi parë edhe vetëmohimin e këtyre njerëzve. Përkundrazi, është për t’u lavdëruar profesionalizmi i tyre.

Por kur një perlë buzë detit, siç ishte Mati, apo lagje të tëra në Rafinë, ndërtohen duke shkelur çdo parim dhe çdo ligj që duhet të sigurojë përballimin e fatkeqësive natyrore, atëhere çdo fjalë është e kotë.

Për më tepër pas mijëra fatkeqësive të tilla askush nuk ka thënë njëherë të vetme “fajin e kam unë”. Askush nuk ka marrë përgjegjësinë për asgjë. Çështja, pra, është përgjegjësia. Jo përgjegjësia abstrakte e çdo qeverie. Por përgjegjësia e përbashkët siç duhet të ndahet ajo, nga qeveria dhe organet qeveritare, tek autoritetet lokale, organizatat, qytetarët dhe në fund tek vetë shoqëria.

Në rastin grek është mëse kuptimplotë shprehja “mos pyet se çfarë po bën vendi yt për ty, por shiko se çfarë i bëre ti vendit tënd”. Ende në televizonet greke, duke respektuar akoma tragjedinë njerëzore, nuk po fillon të flitet për përgjegjësitë. Është ajo që ndodh gjithnjë, që një qeveri apo një bashki, ia hedh fajin asaj paraardhëses. Dhe të gjithë e dinë se Greqia digjet kaq lehtë, pasi askush nuk dënohet. As zjarrvënësi dhe as ai që paguhet për të parashikuar se si veprohet në rastet e fatkeqësive të tilla.

Menaxhim i dështuar i krizave dhe asnjë dorëheqje

Përveç gabimeve të bëra në katër apo pesë dekadat e fundit në infrastrukturën e zonave të reja të banimit në Greqi, ajo që do të veçonte lehtë dikush, është edhe menaxhimi i gabuar i krizave të tilla.

Mjerisht menaxhimi për të mbrojtur njerëzit nga zjarri dështoi përsëri. Sepse kur ke parashikime për erëra të fuqishme, temperatura afër 40 gradëve, dhjetëra mijëra turistë dhe banorë në një zonë me rrugë të ngushta dhe pemë të dendura, nuk pret të të vijë zjarri pranë. Por urdhëron të paktën evakuimin masiv të popullisë. Kjo nuk ndodhi. As tani dhe as në 2007-ën.

Ajo që të revolton më shumë në raste të tilla është se nuk dëgjon kurrë fjalën “dorëheqje”. Dorëheqjen e një kryebashkiaku, dorëheqjen e një zyrtari që ka dhënë lejen për ndërtimin e zonave të tilla, dorëheqjen e një kreu dikasteri ministror e deri në instancat më të larta.

Atëhere mbetesh gjithnjë tek lutja- “Na ruajtë Zoti”! Por edhe Zoti nuk të ruan, nëse ti nuk ruan dhe nuk do vetveten.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë